SHKODER – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Shkodër, ku një person është ekzekutuar me armë zjarri. 

Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se vrasja ka ndodhur në lagjen ‘Zdrale’, ku 46-vjeçari Kujtim Vajushi është qëlluar disa herë me armë zjarri, nga persona ende të paidentifikuar. 

Mësohet se 46-vjeçari, pronar i një lokali në Shkodër, është qëlluar sapo ka dale nga automjeti i tij nga dy persona me motoçikletë dhe skafanda në kokë. 

Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbuluar shkaqet dhe autorët e vrasjes. Pista kryesore ku po hetohet është ndonjë konflikt i vjetër mes autorëve dhe viktimës. 

Kujtim Vajushi është viktima e dytë e vrasjes në Shkodër gjatë këtij muaji. Disa ditë më parë në Berdicë të Shkodrës u vra shtetasi Lazer Paloka.