ELBASAN, 17 shkurt 2013 – Një 67-vjeçar është gjetur i vdekur në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Xibrakë të Elbasanit. Viktima Faik Poka dyshohet se është vrarë nga bashkëshortja e tij që ka lajmëruar policinë për vrasjen e të shoqit. Nga hetimet paraprake dyshohet se viktima është qëlluar me çifte me dy plumba në kokë dhe në gjoks, ndërkohë të njëjtat burime bëjnë me dije se bashkëshortja dyshohet si autorja kryesore e vrasjes.
Menjëherë është bërë shoqërimi i bashkëshortes së viktimës dhe disa të afërmve në komisariat, ndërkohë që policia po heton në pistën e krimit brenda familjes. Sipas policisë vrasja është kryer me çiften e familjes të cilën e kishin me leje dhe ka si motiv xhelozinë mes dy të moshuarve.
Bashkëshortja e tij sipas dëshmisë së fqinjëve vuante prej kohësh nga depresioni. Çifti Poka jetonte i vetëm ndërsa 6 fëmijët e tyre, vajza dhe 5 djemtë jetojnë në emigracion. Blutë e Elbasanit po vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes.





