Ndodh vrasja e radhës në vendin tonë. Një 36-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorës. Viktima, Andrea Billa, i cili njihet ndryshe dhe me emrin Reagim Meli, mendohet se është qëlluar me 4 plumba, 2 prej të cilave janë qëlluar në kokë, duke rezultuar fatale për jetën e tij.

I riu sapo ishte kthyer në Shqipëri para festave të fundvitit për të kaluar pushime, pasi jeton në Spanjë. Sipas policisë, Andrea Billa (Reagim Meli), ka punuar si emigrant në shtetet Spanjë dhe Greqi. Ai ishte babai i tre fëmijëve dhe dilte shpesh jashtë kufijve. Sipas policisë nuk kishte precedentë penalë në Shqipëri.

Banorët thonë se ata kanë dëgjuar vetëm krisma të mbytura të ngjashme me ato të fishekzjarrëve. Policia ka sekuestruar në vendin e ngjarjes edhe 4 gëzhoja të kalibrit 7.65 mm.

Uniformat blu kanë ngritur pika të shumta kontrolli në qytet dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.