4 gusht 2015 – Një 73-vjeçar është vrarë me armë zjarri mëngjesin e sotëm në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Zhejë të Kurbinit. Viktima David Piroli, fillimisht mbeti i plagosur rëndë nga plumbat, por nuk mundi t'i mbijetojë plagëve dhe humbi jetën rrugës për në spital.
Policia ka shkuar në vendngjarje dhe po heton për zbardhjen e rrethanave të krimit, por paraprakisht dyshohet se kemi të bëjmë me gjakmarrje.
Djali i viktimës, vrasës me probleme mendore
David Piroli është babai i 36-vjeçarit Altin Piroli, i cili më 4 mars të 2014-s ka vrarë me armë dy vëllezër, Andrea dhe Endri Cara, 27 dhe 30 vjeç, si dhe plagosi dy kalimtarë të tjerë në një lokal në qendër të Laçit.
Sipas policisë, Altin Piroli rezulton të ketë probleme mendore, dhe pikërisht prej këtyre problemeve ai ka përdorur në jo pak raste armë zjarri.
Edhe vite më parë ai kishte plagosur djalin e xhaxhait, vepër penale për të cilën kishte kryer 1 vit burg. Kur e kreu këtë krim, Piroli tha se donte të tregonte se “ja si bëhet vrasja”.
Pas kësaj ngjarjeje, Pirolin e mbyllin në psikiatri, dhe ai doli prej andej në 2006-n, me një vendim për mjekim në kushte shtëpie. Madje në atë kohë, ai kishte bërë një listë me emrat e personave që do të ekzekutonte mes tyre prokurorë e gjykatës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/