Ajo që u quajt si një “El Clasico” verore rezultoi të ofronte një spektakël të jashtëzakonshëm dhe plot 5 gola. Në Miami, Barcelona mposhti 3-2 Realin e Madridit, në atë që mund të konsiderohet edhe si “klasikja” e fundit për Neymar, i cili duket se do të transferohet te Paris SG.
Ekipi blaugrana kaloi shumë shpejt në avantazh, me anë të Messit në minutën e tretë, si dhe dyfishoi me anë të Rakitiç vetëm 4 minuta më vonë. Por kampionët në fuqi të Europës reaguan, fillimisht duke shkurtuar diferencën me Kovaçiç në minutën e 14, e më pas për të barazuar shifrat në minutën e 36, me autor të golit Asensio.
Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë e miqësores amerikane, që pa t’i ndryshonte rezultati vetëm 5 minuta nga rifillimi i lojës, për të mos ndryshuar më deri në fund. Në minutën e 50-të ishte Pique, i cili shfrytëzoi një asist të brazilianit Neymar, për të firmosur fitoren “blaugrana”.
Një ndeshje kjo që, edhe pse nuk kishte ndonjë rëndësi, dhuroi spektakël e rivalitet, me një ritëm tejet intensiv, si dhe raste të pafundme golash. Por edhe me shumë prej titullarëve të të dyja ekipeve në fushë, duke mos bërë dallimin e të qenit një miqësore.