Durrës, 9 gusht 2014 –  Pas tri protestave për dorëheqjen e Ardian Fullanit si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, shoqëria civile nisi dje mbledhjen e firmave të qytetarëve para Kuvendit të Shqipërisë. Nëpërmjet këtyre firmave do t’i kërkohet Presidentit të Republikës që të thërrasë parlamentarët në seancë të jashtëzakonshme për të shkarkuar Guvernatorin Fullani. Peticioni gjithashtu do t’i dërgohet Kryeministrit dhe Kuvendit.

“Jemi mbledhur këtu për t’u krijuar qytetarëve mundësinë të nënshkruajnë një peticion për shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, drejtuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Kërkojmë nga ju që të mblidhni Parlamentin në një seancë të jashtëzakonshme, për të shkarkuar Guvernatorin e BSH-së, Ardian Fullani, si personi që mban përgjegjësi të plotë për veprimet dhe mosveprimet e tij në vjedhjen e Thesarit të Bankës së Shqipërisë. Ai nuk mund të mbajë më postin e Guvernatorit, përderisa ka refuzuar të kryejë aktin e dorëheqjes, një minimum i domosdoshëm për të kryer besimin e publikut dhe lejimin e një hetimi të pavarur. Nëse ti nuk merr përgjegjësinë tënde si deputet, atëherë je pjesë e mbrojtjes politike të Ardian Fullanit dhe se nesër nuk mund të mbrohesh para askujt me asnjë argument para qytetarëve, që ti bashkëpunove për vjedhjen e Thesarit”, tha organizatori i protestës dhe mbledhjes së firmave, Zirkon Disha.

Deri në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, numri i firmave shkoi rreth një mijë, por aksioni do të vijojë deri të hënën e ardhshme, pra për dhjetë ditë me radhë. Sot do të vijojë në qytetin e Elbasanit mbledhja e firmave ne kuader te petecionit te inicuar nje dite me pare nga shoqeria civile, per shkarkimin e Guvernatorit te Bankes se Shqiperise, Ardian Fullani. Qytetarët janë ftuar nëpër rrjetet sociale të firmosin peticionin në bulevardin ‘Aqif Pasha’ te qytetit te Elbasanit.