Prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla rikonfirmoi edhe njëherë nga Elbasani se procesi i dekriminalizimit të sferave më të larta të shtetit shqiptar do të vazhdojë. I pyetur nga televizioni ABC News nëse do të ketë emra konkretë politikanësh, pushtetarësh apo deputetësh, kryeprokurori Llalla u përgjigj: "Tashmë sapo kemi krijuar strukturën e posaçme dhe javën që vjen nis procesi i verifikimit. Të tjerat varen nga rezultatet e hetimeve."

I pyetur për ndryshimet që kanë përfshirë organin e akuzës në të gjitha nivelet, kryeprokurori Lalla u shpreh se ndryshimet u bënë në ato prokurori ku u konstatuan problematika dhe se prokurorët e larguar ishin koshientë ndaj dhe dhanë dorëheqjen. Sipas tij, ndryshimet ishin krejt normale dhe në funksion të organizimit të punës dhe të rifreskimit të stafeve. Ai tha se në përzgjedhjen e drejtuesve të rinj janë marrë në konsideratë aftësitë e tyre profesionale.

Prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla ishte në Elbasan me rastin e fillimit të ndërtimit të prokurorisë së këtij rrethi. Me këtë rast ai u shpreh para prokurorëve se do të krijohen të gjitha kushtet optimale për të cilësinë dhe shpejtësinë e hetimeve në mbarë vendin.