TIRANË, 10 gusht 2013 – Sërish, pas 4 ditësh, tërmet në vendburimet e Përroit të Zaranikës (komuna Labinot-Mal) në veri të qytetit të Elbasanit, ndonëse sizmologët e lokalizojnë në juglindje të Kërrabës së Tiranës.
Departamenti i sizmologjisë i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit në universitetin publik Politeknik të Tiranës, njofton se më 10 gusht 2013, ora 5:3:55 GMT ose ora 7:3:55 (koha e Shqipërisë) janë regjistruar lëkundje të lehta tektonike, me magnitudë M=2.8, në një distancë 11 km në vijë ajrore në juglindje të Kërrabës, Tiranë në koordinatat 41.2°V, 20.1°L, me epiqendër në thellësinë 13 km (shih hartën nr. 1, pika e kuqe).
Mbështetur në koordinatat e mësipërme, ngjarja sizmike ka ndodhur në lartësinë 650 metra mbi nivelin e detit në trekëndëshin fshati Guri i Zi (komuna e Labinot-Malit) dhe Cerujës dhe Funarës (komuna e Funarës), në vendburimet e Përroit të Zaranikës (shih hartën nr. 2 dhe foton satelitore, shigjeta e gjelbër). Pak më poshtë, nga ana tjetër e Zaranikës, më 5 gusht ra një tjetër tërmet me magnitudë 2,6, që u lokalizua në distancën 7 km në vijë ajrore në veri të qytetit të Elbasanit në koordinatat 41.17°V, 20.2°L. Krahasuar me koordinatat 41.2°V, 20.1°L të ngjarjes sizmike të 10 gushtit, ndryshimi i vendndodhjes së dy tërmeteve është me minuta.
Info
Komuna e Labinot-Malit ka në përbërje fshatrat Labinot-Mal, Gur i Zi, Sericë, Lamolle, Benë, Lugaxhi, Qafë, Qerret, Shmil. Dritas.
Komuna e Funarës ka në përbërje fshatrat Branesh, Bixellë, Preçë e Sipërme, Cerujë, Korrë, Mollagjesh, Krrabë e Vogël, Preçë e Poshtme. Stafaj.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





