4shtator 2015 – Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit gjatë muajit shtator do të prezantohet në dy festivale teatrore brenda dhe jashtë vendit. Tragjedia “Elektra” me regji nga Laert Vasili do të shfaqet në Festivalin ndërkombëtar “Teatri antik” i Stobit (Maqedoni), ndërsa komedia “Martesa” me regji të Driada Dervishit do të marrë pjesë në Festivalin e Korçës.

Drejtori i Teatrit, Bashkim Hoxha tha për “DurresLajm” se trupa e Durrësit prezantohet për herë të parë në një veprimtari ndërkombëtare. Selektorët e festivalit të Stobit e përzgjodhën shfaqjen e teatrit të Durrësit gjatë paraqitjes së saj në edicionin e fundit të Festivalit të Butrintit. Festivali i Stobit e ka nisur rrugëtimin e tij 13 vjet më parë dhe shfaqjet organizohen në rrënojat e kalasë së qytetit maqedonas.

Sezoni i ri teatror në Durrës do të nisë kështu me dy prezantime të rëndësishme të premierave të përgatitura gjatë viteve të fundit nga trupa e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

/portali DurresLajm/