TIRANE, 14 prill 2013 – Ndërsa në dhomat e gjumit fiken dritat dhe disa prej tyre shtrihen për të fjetur, pjesa tjetër e banorëve vazhdojnë bisedat në ambientet afër pishinës. Anaidi, Joana, Xhimi dhe Edberi bisedojnë rreth ngjarjeve në shtëpi si edhe rreth klipeve që Vëllai i Madh ka shfaqur gjatë spektaklit. Më pas flasin për banoren e re, duke thënë se duket e ngrohtë me ta dhe shumë e komunikueshme, megjithëse është herët për të dhënë një mendim përfundimtar.

Ndërsa më vonë largohet Edberi, Anaidi e këshillon Joanën që të mos i kushtojë rëndësi atij, pasi në këtë mënyrë thjesht ia zgjat kohën e qëndrimit në shtëpi. Joana thotë se kishte krijuar një tjetër mendim për të, por sjellja ndaj tij që në këtë moment do të jetë ndryshe. Më pas banorët thurin plan që këtë javë të rrinë sa më të heshtur, në mënyrë që të shikojnë reagimin e banorëve të tjerë në shtëpi.

Ndërsa në dhomën e gjumit, Vigani shkon afër Elenës, duke dashur të sqarohet me të në lidhje me klipet që u shfaqen gjatë spektaklit, ku Elena ishte shprehur me disa nga banorët, duke thënë: “Viganin e kam pas meje”. Vigani i kërkon sqarim lidhur me këtë shprehje, duke dashur të kuptojë se me çfarë kuptimi e ka thënë ajo. Elena e sqaron, duke i thënë se ka dashur të tregojë se e ka në krahun e saj, ndërsa Vigani nuk e beson, por është i sigurt se ajo e ka thënë me kuptimin që ai i shkon nga mbrapa dhe ndërsa thotë këtë, largohet nga dhoma qejfmbetur.

Elena pak më vonë shkon afër Joanës dhe i tregon asaj për diskutimin me Viganin, ku shprehet: “I dhashë fund me të”. Joana thotë se të flasë ajo me Viganin e ta sqarojë.

Ndërsa Iliri e këshillon Viganin lidhur me marrëdhënien që duhet të ketë me Elenën, duke i thënë se ajo është duke e shfrytëzuar. “Ajo ka shfrytëzuar mirësinë tënde”, i thotë Iliri, i cili i vë në dukje se mosha e tij e vogël bën që të mos e kuptojë dot lojën që po i bën Elena. Ndërsa Vigani i thotë se Elena nuk hyn në gustot e tij dhe se kur ka hyrë në shtëpi nuk e ka parë me atë sy, por përkujdesja e saj bëri që të afroheshin bashkë.
Pas pak minutash banorët shtrihen një edhe nga një për të fjetur gjumë.