24 shkurt 2015 – Përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovizion, Elhaida Dani, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin social Facebook se ajo do të konkurojë me një këngë tjetër dhe jo me këngën "Diell", me të cilën u vlerësua në festivalin e fundvitit të RTSH-së. Ajo bën me dije se arsyeja e këtij vendimi është tërheqja për arsye personale dhe të pandryshueshme të vetë autorit të këngës, i cili ka vendosur të tërheqë këngën që ka kompozuar vetë.
"Mendoj se është e drejtë t'ju komunikoj personalisht vendimin e marrë dhe më është komunikuar së fundmi. Këtë vit do të përfaqësoj Shqipërinë në Eurovision me një këngë tjetër nga ajo me të cilën u shpalla fituese e FIK,,, në dhjetor të vitit të kaluar.
Ky lajm do bëhet publik dhe zyrtar së shpejti, por dëshiroja që të isha unë ajo qe jua komunikoj për herë të parë. Autori i këngës "Diell", për arsye personale dhe të pandryshueshme, ka vendosur të tërheqë këngën nga ai e kompozuar dhe do jetë për fat të keq e pamundur të këndohet nga unë në Eurovision Song Contest 2015. Duke respektuar këtë zgjedhje të tijën personale, dhe në dakordësi me RTSH, e mbi të gjitha duke respektuar rregullat e vendosura nga ESC, më është komunikuar që si fituese e Festivalit, unë duhet të përfaqësoj vendin tim në Vienë me një këngë të re. Urimi dhe dëshira ime është qe ky vendim i papritur që më është bërë i ditur, të mos sjelli pakënaqësi dhe polemika. Qëllimi mbetet ai që Shqipëria të ndahet me një rezultat sa më të mirë dhe të gjithë do punojmë sa më shumë për ta arritur", përfundon ajo.





