Personi që është ekzekutuar mbrëmjen e djeshme me armë zjarri në kryeqytet është identifikuar nga policia dhe bëhet fjalë për shtetasin Ajet Zeqaj, 35 vjeç, nga Qesarati i Tepelenës.

Ngjarja ka ndodhur në një qendër bastesh në zonën e ish-Bllokut, pranë një picerie, dhe nga burimet zyrtare mësohet se viktima ka qenë i shoqëruar me një shok.

Sapo ka dalë nga pika e lotos, ai është qëlluar me armë zjarri tip pistoletë me silenciator, një atentat ky i stilit mafioz.

Nga këqyrja e trupit, rezulton se 35-vjeçari është qëlluar me plumb pas koke. Sipas policisë, viktima ka qenë një ish-efektiv policie dhe kishte 20 ditë që kishte ardhur nga Franca në vendin tonë.

Sipas dëshmive, dyshohet se autori ka qenë i maskuar me një kapele dhe pas krimit ka hedhur armën pak metra larg vendit të ngjarjes, e cila u gjet nga policia poshtë një makine me ngjyrë blu.

Forcat e rendit kanë sekuestruar kamerat e sigurisë të bizneseve aty pranë dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e këtij atentati.