Kampionati Botëror i Basketbollit, eveni ment që po mbahet që prej 25 gushtit në Filipine, Japoni dhe Indonezi, tashmë ka mësuar skuadrat finaliste. Do të jenë Serbia dhe Gjermania ekipet që do të matin forcat për trofeun prestigjioz në sportin e koshit. Dy përfaqësueset europiane bënë surprizën në gjysmëfinale, për të nxjerrë jashtë gare Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në gjysmëfinalen e parë, Serbia mundi Kanadanë me rezultatin 95-86. Serbët e bënë diferencën në pjesën e parë të ndeshjes, duke i fituar dy periodat 23-15 dhe 29-24.
Megjithë përpjekjet e kanadezëve në gjysmën e dytë, të cilët i fituan dy periodat e radhës 23-24 dhe 20-23, në fund ishin serbët ata që festuan, duke u rikthyer në finale pas 9 vitesh, ku siç dihet në 2014-ën mundeshin nga SHBA-ja në Botërorin e Spanjës. Bogdanoviç me 23 pikë ishte shënuesi më i mirë i Serbisë, po aq sa Barrett i kanadezëve. Ndërkohë befasia më e madhe u regjistrua në gjysmëfinalen e dytë, aty ku Gjermania eliminoi favoriten e kompeticionit, SHBA-në. “Pancerat” bënë një ndeshje fantastike, duke triumfuar me rezultatin 113-111.
Pas një pjesë të parë të ekuilibruar, të mbyllur me vetëm 1 pikë avantazh për amerikanët, gjermanët shpërthyen me rikthimin në parket, për ta fituar me 11 pikë periodën e tretë. SHBA-ja tentoi deri në fund përmbysjen, por nuk arriti që t’ia dilte, dhe tashmë duhet të masë forcat për medaljen e bronzit me Kanadanë. Obst me 24 pikë ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes, duke udhëhequr Gjermaninë drejt kualifikimit. Të dielën në orën 14:40 Serbia dhe Gjermania do të matin forcat në finale për trofeun. Për Gjermaninë kjo është finalja e parë në histori, ndërsa Serbia numëron 5 tituj kampionë botë të fituara si ish-Jugosllavia.