Data 10 dhjetor do të mbledhë në kryeqytetin shqiptar elitën botërore në fushën e fizioterapisë.

Ky i këtij viti është Kongresi IV Kombëtar i Fizioterapisë, ndërkohë që është i vetmi i këtij lloji në rang mbarëkombëtar.

Në kongres do të jenë të ftuar specialistë të njohur të fushës dhe ajka e fizioterapistëve nga e gjithë bota, të cilët do të paraqesin para të pranishmëve të rejat më të fundit nga shkenca e fizioterapisë, me qëllim nxitjen e bashkëpunimit mbarëkombëtar në nivel evropian dhe botëror.

Kongresi IV Kombëtar i Fizioterapisë organizohet nga Shoqata Shqiptare e Fizioterapistëve (SHSHF), qëllimi primar i së cilës është promovimi i fizioterapisë si një element thelbësor i rritjes së cilësisë së shërbimit mjekësor në Shqipëri dhe arritjen e standardeve të vendeve të BE.

Ky kongres përbën një hap të rëndësishëm në promovimin e vlerave të fizioterapisë si shkencë mjekësore, ndërsa synimi kryesor është arritja e standarteve të larta në zhvillimin akademik dhe shëndetësor.

Krahas referuesve vendas dhe të huaj, nuk do të mungojnë në kongres përfaqësues nga qendrat më të mëdha rehabilituese në Ballkan si dhe nga kompanitë më të mëdha të prodhimit të aparaturave mjekësore fizioterapeutike, të cilët do të paraqesin në formë referimi funksionimin dhe shërbimet mjekësore rehabilituese fizioterapeutike. 

Kongresi i Fizioterapistëve në tre vitet e  fundit është mbështetur fuqishëm nga institucionet shtetërore, arsimore, shëndetësore dhe shkencore të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës si dhe nga organizma të respektuar ndërkombëtare WP (World Physiotherapy) etj.