TIRANË- Partia e re Lidhja për Drejtësi e Progres zhvillon kongresin e saj të parë. Themeluesi i kësaj force, Elmaz Sherifi deklaroi në nisje të këtij kongresi, se LDP është një parti e re që në themel të saj ka demokracinë, moralin politik dhe një mendësi të re. Sipas tij “Nuk mund ta bëjë shtetin një njeri që shet moralin e vetë”, ndërsa shtoi se shqiptarët duhet të clirohen sot nga ideologjitë e vjetra. 

Duke kritikuar partitë politike aktuale, Sherifi u shpreh se ato janë kthyer në reparte ushtarake, apo vagona trenash që dalin nga shinat. 

“Liria politike kërkon luftëtarë të së drejtës, jo ushtarë. Luftëtarët e së drejtës mbrojnë interesat e Shqipërisë. Sot partitë janë si reparte ushtarake, për humor të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën se janë vënë në resht, pa e kuptuar që të dyja janë vënë në resht Ne jemi lidhja që do sjellim një frymë të re. Ne nuk jemi parti ideologjike, nuk mund të shndërrohemi në vagonë të trenave që dalin nga shinat, dëmtojnë prona e vrasin qytetarë”, tha Sherifi. 

Sipas tij, klasa politike sot ka nevojë të lexojë shumë. "Ne duhet të analizojmë të gjitha figurat historike për të kuptuar defektet e tyre dhe jo të pozicionohemi me njërin apo me tjetrin." 

“Viktimat e 21 janarit i vrau politika, kjo politikë mbron interesat e kolltukut të pushtetit. Që të kuptojmë realitetet largohuni nga ideologjitë, që ju mbajnë për të baltosur njëri-tjetrin. Në Shqipëri edhe biznesmenët kanë lënë bizneset dhe janë futur në qeveri se e kanë kuptuar që aty pasurohesh më shpejt. Kjo politikë duhet të marrë fund në Shqipëri, duhet të krijojmë parti demokratike. Ato që nuk janë demokratike nuk ndërtojnë dot institucione demokratike. Sfida jonë është me të ardhmen jo me të shkuarën, politika sot pa vizion”, tha Sherifi më tej. 

Sherifi e ndali vëmendjen e tij edhe tek çështja kombëtare, ku tha se ajo nuk mund të mbrohet sot nga ata që dhunojnë të drejtat. Sipas tij bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mjafton. Shqiptarët kudo që jetojnë duhet të luftojnë për demokraci, që të lëvizin të lirë e të mos paragjykohen që janë shqiptarë, sic shtoi Sherifi. 

“Dhunuesit e të drejtave të anëtarësive të tyre, nuk mund të kërkojnë mbrojtjen e cështjes kombëtare. Nuk mund ta mbrojnë individët që manipulojnë opinionin publik, ata që sakrifikojnë jetë njerëzish. Cështja kombëtare është cdo ditë me ne, por përdhoset cdo ditë nga kjo klasë politike. Sot shqiptarët duhet ta bëjnë Shqipërinë demokratike, shqiptarët e Kosovës duhet ta bëjnë Kosovën demokratike. Po mirë ja u bashkuam, po ku i lamë shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi, e Preshevës. Kryeministri flet për Prevezën, kur dihet që Preveza ka qënë dhe është shqiptare, Shkupi ka qënë dhe është, por ne nuk mund të vemi e t’i marrim. Grekët nuk e mohojnë që Preveza është e shqiptarëve është themeluar nga Pirro i Epirit. Sot ka rëndësi që ne tii japim liri lëvizjeje shqiptarëve në Mal të Zi, Maqedoni, kur camët të mos i kthejë njeri në kufi se janë çamë. Sot duhet të mos kemi frikë nga nacionalizmat, por të garantojmë të drejtat e minoriteteve”, tha Sherifi. 

Pritet që LDP të zgjedhë, Këshillin e Përgjithshëm, Kryetarin e Partisë me votë të fshehtë, një bord drejtues, kryesinë, sekretariatin, komision të interpretimit të statutit një organ i ri që garanton të drejtat e anëtarësisë, sic përmendi Sherifi.