Tiranë, 30 gusht 2014 – Këngëtarja e njohur shqiptare, Elsa Lila do të rikthehet në Tiranë si trajnere në “The Voice of Albania” në Top Channel.

“Siç është edhe publikuar tashmë lajmi, unë këtë vit do të jem pjesë e trajnerëve të “The Voice of Albania”, që sigurisht nuk zgjat dhjetë ditë.

Jam shumë e lumtur që këta tre muaj dimri do t’i kaloj pranë artistëve të rinj, në një udhëtim muzikor, ku unë së bashku me ta do të eksplorojmë zhanre, stile e teknika, në një atmosferë që vetëm muzika e krijon”, tregon Elsa për Panoramën.

Ajo shprehet se së bashku me të do të jetë edhe e bija, Evita, të cilën do ta regjistrojë në një kopsht në Tiranë.

“Ajo do të frekuentojë një nga kopshtet e Tiranës dhe jam shumë krenare për këtë. Do të ketë mundësinë të praktikojë akoma më mirë gjuhën shqipe duke luajtur me fëmijët”, shprehet ajo.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/