“Finalmente, Elsa” do të titullohet koncerti që do të na sjellë, në 1 nëntor, në Pallatin e Kongreseve ajo vajza e “lotit”, pas së cilës një herë e një kohë u marros i madh e i vogël, këngëtarja që na bëri të ndjeheshim krenarë ndërsa prezantohej si e para shqiptare që ngjitej në skenën e Sanremos.

Ky koncert i Elsa Lilës që vazhdon të sfidojë çdo ditë veten dhe kohën, me atë që di të bëjë më mirë, që s’e tradhton kurrë e që e ka kultivuar edhe më fort me rrethin e artistëve, pritet të jetë spektakolar.

Tani po guxon të vijë për këtë koncert të madh, në Tiranën e saj, aty ku nisi gjithçka e ku ka ndjerë çdo herë, në çdo kohë, dashurinë, që publiku ka për gjithë vlerat artistike që ajo vazhdon të përcjellë, përmes botëkuptimit, zërit e tingujve të saj. Që këtë herë do t’ua sjellë në një koncert live, në çdo tingull, nga fillimi deri në fund, që do të jetë i gjithi i saji, konceptuar me një program special muzikor.