Elseid Hysaj mbetet një prej objektivave të merkatos së klubeve të Premier League-s angleze. Kjo pavarësisht faktit se pak ditë më parë kuqeziu deklaroi se do të qëndrojë te Napoli të paktën edhe një sezon, ku do të kërkojë të fitojë trofe.A do të qëndrojë Hysaj te Napoli? Besoj që po. Gjendem shumë mirë aty. Tifozët janë fantastikë, qyteti është shumë i bukur. Besoj që do të qëndroj, me shpresën se do të fitojmë trofe sezonin e ardhshëm dhe më pas do të flasim sërish.
Me hapjen e afatit të transferimeve të verës, mbrojtësi i Napolit është rikthyer në orbitën e Chelsea dhe Arsenal. Klubet londineze e cilësojnë një alternativë të shkëlqyer për krahun e djathtë të repartit difensiv. Pas fitimit të titullit, Chelsea kërkon të përforcojë organikën, ndërsa Hysaj vlerësohet si kandidati perfekt për krahun e djathtë, aty ku sezonin e kaluar luajti Victor Moses.Gjithçka do të varet nga Antonio Conte dhe nga fakti nëse trajneri do ti japë të njëjtin besim nigerianit, ndërsa mbrojtësi shkodran ofron aftësi të mira atletike, saktësi dhe përpunim të mirë të topit. Elseid Hysaj është vetëm 23-vjeçar dhe ka ende shumë vite përpara në nivele të larta. Kjo është arsyeja përse për shërbimet e mbrojtësit shqiptar interesohet edhe Arsenali.
“Topçinjtë”, që tradicionalisht synojnë afrimin e të rinjve të perspektivës, e shohin Hysajn si një alternativë të Hector Bellerin, nëse spanjolli kthehet te Barcelona. Deri në fund të merkatos priten zhvillime dhe mbetet për tu parë nëse Napoli do të vendosë ta shesë shqiptarin, që është kthyer në një prej elementëve më të rëndësishëm të ekipit.