Në sallën e Këshillit bashkiak të Shijakut sot u realizua ceremonia e betimit për një mandat të dytë si kryetar i bashkisë, pas fitores së arritur në zgjedhjet e 14 Majit.

Gjatë kësaj ceremonie Arbana u shpreh:

“Dita sot është shumë e rëndësishme jo vetëm për mua, por për të gjithë qytetarët e Shijakut, Xhafzotaj, Maminasit dhe Gjepalajt.

Është e rëndësishme, sepse ne nisim një tjetër rrugëtim 4 vjeçar, për të vijuar me zhvillimin e qytetit e për të përmbushur vizionin tonë për të ardhmen e Shijakut.

Nuk do të isha këtu sot, nëse nuk do kisha marrë besimin e mijëra qytetarëve që votuan për mua si kandidatura më e mirë për të drejtuar bashkinë. Për këtë ju jam thellësisht falenderues dhe ju premtoj që besimin tuaj do ta kthej në punë për të mirën e të gjithëve.

Dua të falenderoj Kryeministrin Edi Rama, i cili që në fillim besoi te profili im politik dhe njerëzor dhe për mbështetjen e vazhdueshme që na ka dhënë që pas tërmetit.

Jam i bindur që bashkëpunimi dhe mbështetja e Kryeminstrit Rama dhe Qeverisë shqiptare do të vijojë me projekte konkrete edhe gjatë mandatit tim të dytë.

Do të marr eksperiencën më të mirë të punës që krijuam katër vitet e para në drejtimin e bashkisë. Do të mësojmë nga sfidat që kaluam dhe mënyra sesi i menaxhuam të papriturat që na dolën përpara, duke mos humbur kurrë shpresën dhe entuziazmin për të zgjidhur problemet.

Me modesti ju them se profesionalisht kjo është pjesa që më bën të ndihem më krenar: ringritja që i dhamë Shijakut pas tërmetit e në vazhdim.

Kur eci në Shijak në këmbë, unë frymëzohem nga modelet e njerëzve të punës: Frymëzohem nga ai punëtori i thjeshtë që punon për mirëmbajtjen e qytetit dhe përmes punës së tij i siguron të ardhura familjes.

Frymëzohem kur shoh fëmijët e Shijakut dhe zotohem që duhet të krijojmë sa më shumë hapësira të bukura ku ata mund të luajnë, tashmë që i kemi ndërtuar kopshtet dhe shkollat e reja.

Bisedoj me pensionistët dhe mendoj për investimet që bashkia duhet të bëjë për moshën e tretë, apo për mbështetjen që duhet t’i japim grave të papuna, për mundësitë e punës për të rinjtë etj.

Prioritetet e mandatit të dytë lidhen me vizionin se ku duam ta çojmë perspektivën e qytetit dhe këtë vizion unë e kam ndërtuar duke biseduar me grupmosha të ndryshme, duke marrë mendimet e qindra njerëzve, duke lënë mënjëanë ndasitë politike. Jemi të gjithë qytetarë të Shijakut me të drejta të barabarta për të jetuar më të mirën e një qyteti.

Detyra si kryetar i bashkisë për herë të dytë më vendos në përgjegjësi për të kthyer sfidat në mundësi dhe punë konkrete për Shijakun. Së bashku do të bëjmë realitet shumë projekte.

Doja të uroja për detyrën e re që do të merrni sot, çdo anëtar të Këshillit bashkiak, nga i pari te i fundit në listën e përzgjedhjes dhe doja t’ju thoja se dera e bashkisë Shijak është e hapur për të thënë idetë që keni, për projektet dhe për paraqitjen e problemeve që konstatoni në komunitetin tuaj.

Kërkoj nga ju të jeni realist dhe të lini mënjëanë bindjet politike. Këtu jemi të gjithë për një qëllim të përbashkët, zhvillimin e Shijakut dhe Njësive Administrative.

Nisim bashkë një rrugëtim të ri bashkëpunimi dhe përkushtimi, për të cilin jam i bindur se do të na shkojë shumë mirë, sepse secili prej nesh do të japë më të mirën e tij.

Nënë Tereza ka thënë: Së bashku mund të bëjmë gjëra të mëdha. Për këtë duhet të bashkojmë forcat tona. Unë gjithmonë kam dhënë i pari energjinë dhe shembullin tim të punës, dhe ju siguroj se kjo ka vënë në lëvizje edhe administratën e bashkisë, për të punuar drejt një qëllimi, si një skuadër e vetme.

Të gjithë sa jemi këtu kemi një të përbashkët: Ne e duam Shijakun dhe zhvillimin e tij. Për këtë duhet të punojmë çdo ditë, të qëndrojmë pranë problemeve të njerëzve, të ruajmë gjithmonë një linjë pozitive dhe jam i bindur se kështu do të kemi produktivitet dhe do të çojmë përpara projektet për Shijakun.

Faleminderit për besimin! Më e mira është përpara! Suksese të gjithëve!“- shprehet kryebashkiaku i Shijakut z.Arbana.