Cilat janë punët më të fundit që po bëhen në Shijak?

Shijaku vazhdon me rindërtimin. Sfida që i kemi vënë vetes është të mos lëmë asnjë familje të pastrehë pas tërmetit. Jemi në fazën e ndërtimit të pallateve, të nisura prej disa muajsh. Ndërkohë që këto familje po trajtohen me bonus qeraje. Njëkohësisht po vijojmë me asfaltimin e rrugëve të ndryshme në Shijak dhe Njësitë Administrative dhe zgjidhjen e problematikave të përditshme për t’i lehtësuar jetën banorëve.

Po sa i takon godinave arsimore, si i ka gjetur ky vit i ri shkollor nxënësit e Shijakut? A ka problematika të mësimit me turne?

Fatmirësisht i kemi mundësuar nxënësve të Shijakut të ndjekin procesin mësimor në shkolla me kushte bashkëkohore, falë shkollave të reja që janë ndërtuar me mbështetjen e Kryeministrit Rama.
Gjithashtu me investim nga BE-ja, UNDP po ndërton kopshtin nr.2 dhe shkollën Rilindja në fshatin Sallmone.

Nëse do të ishit objektiv dhe ta vlerësonit për së jashtmi gjithë punën që bashkia ka bërë deri tani në Shijak, çfarë do vlerësonit më tepër dhe ç’mund të bënit më shumë?

Gjithmonë ka vend për tu përmirësuar, apo për të bërë dicka më tepër, por kemi bërë maksimumin.

Nuk e shikoj veten thjesht si kryebashkiak i Shijakut. E vendos veten në krye të një misioni, të një të ardhme më të mirë për çdo qytetar që ka zgjedhur ta ketë të ardhmen e vet dhe të fëmijëve në qytetin e Shijakut.

A keni ju një përgjigje për ata njerëz që shfaqin pakënaqësi për punën tuaj të përditshme dhe atë që është bërë për Shijakun?

E kam thënë në fakt që aty ku nuk na dëgjohet zëri na shikohet puna. Nëse nuk arrijnë dot ta shohin se çfarë po bëjmë për Shijakun është problemi i tyre. Nuk mund të ndryshoj dot mendjet që shikojnë gjithmonë gjysmën e gotës bosh. Në Shijak po investohet si kurrë më parë në këto tre dekada dhe ky është fakt, jo perceptim i imi subjektiv.