Këngëtares Elvana Gjata i janë vjedhur të gjitha fotot e videot që dispononte në adresat e ndryshme të rrjeteve sociale dhe në aparatin celular.

Hakerat që qëndrojnë prapa kësaj ngjarjeje dyshohet se janë 4 adoleshentë.

Këngëtarja është paraqitur në Prokurori ku dhe ka kallëzuar ngjarjen, dhe pasi janë vënë në dijeni të faktit, hetuesit arritën të identifikojnë katër 15-vjeçarë si të dyshuar. Ata janë marrë në pyetje dhe kanë pranuar se kanë mundur të hyjnë në celularin e këngëtares, por që nuk kanë pasur qëllim të dëmtojnë imazhin e saj. Adoleshentet kanë deklaruar se janë fansa të Elvana Gjatës, por Prokuroria dyshon se ata mund t’i kenë vjedhur fotot dhe videot për t’i përdorur për shantazh.

Sipas hetimeve, adoleshentët kanë mundur të gjejnë të gjitha pyetjet e sigurisë së përdorura në adresën iCloud nga këngëtarja dhe pas këtij hapi, ata kanë pasur akses të plotë në të dhënat personale të saj.

Prokuroria e Tiranës po vazhdon hetimet, pasi dyshon se në këtë ngjarje janë përfshirë edhe persona të tjerë.