ITALI, 15 mars 2013– Elvis Kabashi, lojtar i të rinjve të skuadrës italiane Juventus, si dhe i kombëtares shqiptare U-19, ka refuzuar përfundimisht dhe zyrtarisht kombëtaren kuqezi.
Kabashi, i cili më 20 shkurt mbushi 19 vjeç, ka njoftuar vendimin e tij nëpërmjet një letre zyrtare dërguar Federatës Shqiptare të Futbollit, ku i kërkon kësaj të fundit që të mos e ftojë më për të veshur fanellën kuqezi.
“Kam luajtur disa ndeshje për kombëtaren shqiptare të të rinjve dhe u jam shumë mirënjohës për interesin që keni shfaqur për mua deri ditën e sotme, por ju ftoj të mos më thërrisni më në të ardhmen, sepse dëshira ime është të luaj me kombëtaren italiane të futbollit”, ka porositur Kabashi, raporton TCH.
Më tej, 19-vjeçari shton se ai është një qytetar italian, i lindur e rritur në Itali dhe se ndjehet më shumë i lidhur me Italinë sesa më Shqipërinë.
“Shpresoj të mirëkuptoni zgjedhjen time. Në të ardhmen, përgjigje pozitive nga ana ime do të marrë vetëm një ftesë e federatës italiane të futbollit”, përfundon letra.
Letra, e shkruar në anglisht, përveç Federatës Shqiptare të Futbollit, i është dërguar edhe FIFA-s.