Ish-kryebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi u dënua me 60 orë punë në interes publik, pasi u cilësua fajtor për akuzën e falsifikimit të formularit të dekriminalizimit. Gjykata e dënoi ne krye të herës me 7 muaj e 15 dite burgim.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu reduktua në pesë muaj. Sipas kërkesës së prokurorisë, gjykata e pezulloi ekzekutimin e dënimit dhe e konvertoi me punë në interes publik.
Vendin dhe kohen se ku ta shlyejë dënimin ish-kryebashkiaku do të përcaktohet nga zyra e shërbimit të provës në Tiranë, në varësi të rrethanave familjare të të pandehurit, për shkak se ai ka fëmijë të vegjël në ngarkim. Sipas verdiktit të gjykatës Roshi nuk duhet të shoqërohet me persona të dënuar.
Elvis Roshi i pranishëm në proces nuk dha shpjegime dhe as bëri ndonjë koment për mediat pasi zgjodhi të largohej nga dera dytësore e gjykatës. Roshi u vu në ndjekje penale dhe tashmë u dënua, pasi fshehu rekordet kriminale në Itali, Gjermani e Zvicër.
Nga drejtësia italiane ai rezulton të jete dënuar me 1 vit e katër muaj për veprën penale të përdhunimit në grup dhe dëbuar me forcë pas nga territori, pasi kishte shkelur urdhërimin e gjykatës. Prokuroria tha se Roshi ka fshehur edhe faktin se ka përdorur shtatë emra të ndryshëm.
Në Gjermani e Zvicër ai rezulton të jetë problem, por autoritetet nuk i janë përgjigjur letërporosive të dërguara nga Shqipëria duke mos sqaruar se çfarë veprash penale ka konsumuar Roshi në territorin e tyre. Por janë mjaftuar vetëm duke iu përcjellë shenjat e gishtërinjve të tij që i janë marrë kur është shoqëruar nga forcat policore atje.





