Tiranë, 25 maj 2014 – Aktorja 43-vjeçare Ema Andrea ka pranuar në emisionin “Kontrata” të Sonila Meços se është e dashuruar me një mashkull 5 vjet më të vogël sesa ajo.
Andrea ndihet 100 për qind e sigurt me partnerin e saj aktual, përderisa ka vendosur të bëjë një deklaratë të tillë publike për statusin e saj shpirtëror.
Ajo ka prezantuar të dashurin e saj, kuratorin bashkëkohor Klod Dedja. Gjatë emisionit, dy të dashuruarit ishin ulur përballë njëri-tjetrit, në këtë rrëfim të parë për bashkëpunimet artistike dhe lidhjen e tyre.
Fakti që ai është 5 vite më i ri se aktorja, duket se nuk e ka penguar përputhjen e tyre si çift, të vërtetuar tashmë pas një viti lidhjeje.
Edhe pse Ema ka hezituar fillimisht për bërjen publike të lidhjes, ka qenë Klodi ai që ka pranuar ftesën e Sonila Meços për të qenë personi surprizë më i dashur për Emën, si një përgjigje dashurie ndaj saj. Pas këtij momenti të veçantë televiziv, Ema e emocionuar preferoi ta përkufizonte kështu lidhjen e saj me këtë djalë: “Tani që e gjeta Klodin, nuk e lëshoj më”, ka pohuar ajo.
Ema Andrea ka një vajzë mbi 20 vjeç nga martesa e parë dhe, gjatë këtyre viteve, si e ndarë nga bashkëshorti, ajo nuk ka preferuar të japë deklarata të tilla dashurie.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





