NGA THANAS MUSTAQI
· Përfaqësia e Moskës në Tiranë u thotë gazetave shqiptare më 20 (21) gusht 2015 atë që ka shkruar portali “durreslajm.com” më 11 gusht 2015
· U mbetet Kryeministrit Edi Rama, ministrave Ditmir Bushati dhe Edmond Panariti të sqarojnë opinion publik për këtë problem për t’iu dhënë fund spekulimeve dhe lajmeve të rreme me bukë e grurë
NGA THANAS MUSTAQI
21 gusht 2015 – Më 21 gusht 2015 Mediet shqiptare botuan njoftimin për shtyp të ambasadës ruse në Tiranë, që u thotë në sy disa gazetarëve injorantë që “krijojnë” me “copy-paste” se
“është e habitur nga publikimi kohët e fundit i materialeve të shumta në mediat shqiptare për gjoja ekzistencën e një rreziku të ndërprerjes së furnizimit të Shqipërisë me grurin rus”.
Madje u shpegon se:
“Ambasada thekson edhe një herë se vendimi i lartpërmendur i Qeverisë ruse parashikon vetëm ndalimin e importeve në Rusi të prodhimeve dhe lëndëve të para bujqësore, si edhe të ushqimeve, nga vendet që u janë bashkuar sanksioneve antiruse. Regjimi i eksportit të mallrave ruse, përfshirë këtu edhe grurin, nuk preket nga ky vendim. Pra, çdo shqetësim për një ndërprerje të mundshme të furnizimit të Shqipërisë me grurin rus është absolutisht i pabazë”.
Portali “durreslajm” është marrë disa herë me këtë problem. Madje, atë që thonë diplomatët rusë më 20 (21) gusht 2015, e ka shprehur portali ynë 11 ditë më parë, më 9 gusht 2015, në lajmin me titullin shpjegues “Embargoja e Moskës / Për perimet e frutat shqiptare dhe jo për grurin rus”. Ja teksti i plotë i lajmit:
“Disa medie on-line të 11 gushtit 2015 kanë hedhur tezën mbi rrezikun e rritjes së çmimit të bukës për shkak të embargos ruse. Disa gazetarë, të mësuar me praktikën “copy-paste”, duke mos i lexuar lajmet në gjuhë të huaja, mendojnë se embargoja ruse për perimet dhe frutat shqiptare që eksportohen në shtetin euro-aziatik, është embargo dhe për produktet e eksportit rus në drejtim të vendeve të tjera, përfshi dhe Shqipërinë. Moska nuk u blen prodhimet e eksportit atyre vendeve që i kanë vënë sanksione. Por Rusia dëshiron që të shesë (eksportojë) dhe grurin e vet, që e blejnë dhe grosistët shqiptarë, thjesht për të thithur valutë të huaj.
Alarmi i vënë nga mediet për mundësinë e rritjes së çmimit të bukës për shkak të embargos për trangujt shqiptarë është i rremë. Kjo dëshmon si për paditurinë e lajm-shkruesve ashtu për sponsorizim mediatik që mund të bëjnë grosistët e grurit dhe prodhuesit e bukës për të përgatitur terrenin e rritjes së çmimit të bukës.
Referuar statistikave zyrtare të 6-mujorit të parë të vitit 2015 të Autoritetit Portual Durrës, janë importuar, kryesisht, nga Rusia 82 357 tonë grurë. Si koincidencë, më 11 gusht 2015, në portin e Durrësit po shkarkohen dy anije me grurë “Astol” ka 3 293 tonë, kurse “Krasnyi Aksay” 3 024 tonë” (shih faksimilen).
Nuk ka se si të mos tërheqë vëmendjen një detaj kuptimplotë në njoftimin për shtyp të ambasadës ruse. Me një elegancë diplomatike për t’u admiruar përfaqësia e Kremlinit në Tiranë e mbyll deklarimin me frazën:
“Në rast se do të merret vendimi për bllokimin e importeve të grurit rus në Shqipëri, mund të themi me siguri të plotë që kjo nuk do të bëhet nga Rusia”.
Duket disi enigmatike kjo frazë? Ajo përkthehet se në rast se Shqipëria do të respektonte sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, të cilave u është bashkuar, qeveria shqiptare duhej të ndalonte me kohë blerjen e grurit rus!
Para një viti, më 9 gusht 2014, “durreslajm.com” ka botuar lajmin me titull “Thyhet embargoja ndaj Rusisë. Drejt Durrësit një anije me grurë”, ku në info vihet në dukje:
“Sikurse është bërë e njohur, Shqipëria u është bashkuar sanksioneve të BE-së, SHBA-së, Kanadasë etj. ndaj Federatës Ruse pas aneksimit të Krimesë dhe ngjarjeve në kufirin me Ukrainën.
Nga ana tjetër, Moska ka vënë sanksionet e saj ndaj këtyre vendeve, përfshirë dhe Shqipërinë, për sa u përket importeve ushqimore prej tyre dhe i intereson të eksportojë drithëra.
Sipas INSTAT-it, Shqipëria importoi nga Rusia 5 miliardë 657 milionë mallra (rreth 41 milionë euro), kryesisht grurë, në 6-mujorin 2014, por janë tejet të papërfillshme eksportet shqiptare në Rusi për të njëjtën periudhë – vetëm 9 milionë lekë (65-66 mijë euro); “golaverazhi” tregtar është Shqipëria 1: Rusia 628.5!
Autoritetet e Tiranës zyrtare nuk po hetojnë për shkeljen e embargos.
Dogana, para se të merret me kontrabandën e çikërrimave, ka detyrim ligjor të njoftojë opinionin publik për subjektet që nuk respektojnë angazhimin ndërkombëtar të Shqipërisë”.
Po ashtu, pas 4 muajsh, më 3 dhjetor 2014, “durreslajm.com”, botoi një lajm, duke iu referuar njoftimit se
“Shërbimi federal rus i mbikëqyrjes veterinare dhe fitosanitare mori vendim për ndalimin e importeve bujqësore nga Shqipëria, duke filluar nga 8 dhjetori 2014, i tha agjencisë telegrafike zyrtare TASS, më 3 dhjetor 2014, kreu i këtij enti shtetëror Sergej Dankvert”.
Mes të tjerave në shkrim thuhet:
“Nga ana tjetër, nuk dihet nëse qeveria shqiptare do të reagojë ndaj këtij akti të Moskës, për më tepër që ajo u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë.
Sikurse është bërë e njohur, Shqipëria u është bashkuar sanksioneve të BE-së, SHBA-së, Kanadasë etj. ndaj Federatës Ruse pas aneksimit të Krimesë dhe ngjarjeve në kufirin me Ukrainën.
Nga ana tjetër, Moska ka vënë sanksionet e saj ndaj këtyre vendeve, përfshirë dhe Shqipërinë, për sa u përket importeve ushqimore prej tyre dhe i intereson të eksportojë drithëra”.
Tani u mbetet Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe Ministrit të të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti të sqarojnë opinion publik për këtë problem për t’iu dhënë fund spekulimeve dhe lajmeve të rreme me bukë e grurë.