Largohet tre muaj pas emërimit Vilma Rakipi, zëvendësohet nga Androkli Kokthi i shtabit të PS. Fituesit në drejtoritë e rretheve.
15 janar 2014 – Tre muaj pas emërimit në krye të drejtorisë më të madhe tatimore, është liruar nga detyra Vilma Rakipi, drejtoreshë për Tiranën. Kjo e fundit e mori këtë pozicion më 14 tetor të vitit të kaluar, emërim i bërë në të njëjtën ditë me drejtoreshën e Tatimpaguesve VIP, Mimoza Kalia. Por, ndryshe nga kjo e fundit, Rakipi nuk pati “shansin” të fitojë konkursin e organizuar nga Tatimet dhe nga dje është shkarkuar nga detyra. Rakipi ka qenë pjesë e Tatimeve edhe më parë, kur mbante pozicionin e përgjegjëses së sektorit në Drejtorinë e Përgjithshme. Burime nga Drejtoria e Tatimeve tregojnë se mes saj dhe drejtoreshës së përgjithshme Brisida Shehaj nuk ka pasur marrëdhënie shumë të mira. Rakipi, bashkëshortja e ish-kryeprokurorit Arben Rakipi, e gëzoi postin vetëm për tre muaj.
Emërimet
Dje Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikoi edhe listën me emrat e atyre që emërohen në pozicionet e lira të administratës. Në këtë listë bie në sy edhe emërimi i ri në Drejtorinë Rajonale të Tiranës. Fitues i konkursit për drejtor në Tiranë rezultoi Androkli Kokthi. Konkurset për pozicionet e lira u zhvilluan në 24 dhe 28 dhjetor dhe emërimet janë bërë të gjitha dje. Vetëm në Drejtorinë e Tiranës ka rreth 25 emërime.
/ panorama /





