TIRANE, 1 tetor 2013 –  Qeveria e re ka emëruar sot drejtuesit e rinj të disa prej institucioneve të rëndësishme, siç është Drejtoria e Doganave, e Tatimeve dhe Posta Shqiptare.

Ardit Çela është emëruar sot në postin e Administratorit të Përgjithshëm të Postës Shqiptare. Në një njoftim për shtyp, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes njoftoi se "Këshilli Mbikëqyrës i Postës Shqiptare emëroi sot Administratorin e Ri të Postës Shqiptare, z. Ardit Çela, i diplomuar në Inxhinieri Telekomunikacioni". 

Një ndër objektivat kryesorë të ushtrimit të detyrës së tij në mbarëvajtjen e këtij institucioni, Çela do të ketë forcimin e pozitave të Postës Shqiptare si lider në treg, ndërkohë që rritja e gamës dhe cilësisë së shërbimeve, transparenca dhe plotësimi maksimal i kërkesave të klientëve, do të jenë në themel të veprimtarisë së Postës Shqiptare, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.  

Kryeministri Edi Rama ka emëruar Elisa Spiropalin në postin e Drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave, e cila zëvendëson në këtë post, Flamur Gjymishkën. Spiropali aktualisht është kryetare e FRESSH-it, Forumi Rinor Eurosocialist i Shqipërisë. 
Briseida Shehaj është emëruar sot në postin Drejtoreshës së Përgjithshme të Administratës Tatimore. Shehaj zëvendëson në këtë post, Gazmir Spahiajn, i cili dha dorëheqjen disa ditë më parë.