Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka mirëpritur emërimin e Skender Hysenit si koordinator shtetëror për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përmes një mesazhi në “Twitter” Thaçi theksoi se Hyseni angazhimin dhe përpjekjet e tij, do të arrijë ta ndërtojë konsensusin e nevojshëm politik.
“E mirëpres emërimin e ish-kryediplomatit të Kosovës, z. Skënder Hyseni, koordinator shtetëror për dialogun ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Emërimi i z. Hyseni është produkt i koordinimit ndërinstitucional. Kam besim të plotë se përvoja tri dekadëshe e z. Hyseni në procesin e lirisë dhe shtetformimit do të jetë jetike për fazën finale të dialogut për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Z. Hyseni ka mandat për të negociuar për marrëveshjen përfundimtare politike ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe jo për t’u bërë pjesë e proceseve shterpe teknike. Jam i bindur se me angazhimin dhe përpjekjet e tij, z. Hyseni do të arrijë ta ndërtojë konsensusin e nevojshëm politik ndërmjet pozitës dhe opozitës në të mirë të Republikës së Kosovës. HTH”, ka shkruar presidenti Thaçi.
Të martën, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka emëruar Skender Hysenin në postin e koordinatorit shtetëror në dialogun me Serbinë. Siç u paralajmëruar nga kryeministri Hoti, koordinatori shtetëror do të punojë edhe në “draftimin e marrëveshjes finale për njohje reciproke”.





