Pak ditë më parë, Alda Zyferi fitoi konkursin për të qenë drejtoresha e re në Drejtorinë e Projekteve dhe Infrastrukturës Publike në Durrës.
Për pasojë, posti që ajo mbante më herët si drejtoreshë e Qendrës Kulturore të Fëmijëve (QKF) Durrës mbeti vakant.
Megjithatë, kjo situatë zgjati vetëm për pak ditë.
“DurrësLajm” mëson se drejtoresha e re e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës është emëruar Stela Shtraza.
Po kush është drejtoresha e re e QKF Durrës?
Stela Feshti Shtraza, ka lindur dhe është rritur në qytetin e Durrësit. Ajo është diplomuar në Bachelor në Punë Sociale, ndërsa studimet Master i ka përfunduar në të njëjtën fushë, me fokus në vlerësimin dhe mbështetjen sociale për individët dhe familjet në nevojë. Prej 12 vitesh ka punuar në shkollën speciale të fëmijëve me aftësi ndryshe në Durrës.
Për Shtrazën, arti, kultura dhe sporti janë elementë qendrorë të jetës dhe formimit të saj personal. Objektivat kryesore në detyrën e re përfshijnë: organizimin e aktiviteteve, festivaleve dhe konkurseve për fëmijët; zhvillimin e programeve inovative që nxisin kreativitetin dhe bashkëpunimin; si dhe promovimin e Qendrës Kulturore të Fëmijëve si një hapësirë miqësore, të aksesueshme dhe me vlerë për komunitetin.





