Ardit Tabaku, ka ardhur në krye të AKU-së në Durrës, ndërsa ministri i Bujqësisë Blendi Çuçi ka shkarkuar nga detyra Martin Jorgaqin, një prej drejtorëve më jetëshkurtër në krye të këtij institucioni shumë të rëndësishëm në qytetin bregdetar.
(Foto: Martin Jorgaqi, drejtori i shkarkuar)
Tabaku, i ardhur si i komanduar në këtë detyrë, më herët ka punuar në Drejtorinë e Përgjithshme të AKU-së në Tiranë. Tabaku është njohur sot me inspektorët e varësisë, ndërsa nuk është bërë me dije motivi i largimit nga detyra të Jorgaqit, i cili ka qenë edhe specialist i fushës, veteriner.
Institucioni më i rëndësishëm i kontrollit dhe sigurisë ushqimore në Durrës, prej kohësh është bërë si fushë tenisi. Kjo sepse drejtorët e këtij institucioni janë ndërruar aq shpesh dy vitet e fundit, sa inspektorët nuk iu mbajnë mend as emrin, ndërsa Durrësi mbulon pikën më të rëndësishme të kontrollit të importit të produkteve ushqimore që hyjnë në vend.
Debate të mëdha janë bërë ditët e fundit sidomos për produktet me origjinë shtazore që kanë hyrë në treg nga Brazili. Disa herë janë kapur sasi të mëdha mishi të ardhur nga Amerika Latine, të skeduar me me salmonelë, por AKU nuk i ka bërë publike kompanitë importuese. Pas trafikut të drogës, importi i mishit dhe nënprodukteve të tij është më fitimprurësi në vend.
K.H.





