Nga sot, Zyra e Regjistrimit të Pasurisë në Durrës, ka në krye drejtorin e ri. Ani Dyrmishi, la postin e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor që mbante prej dy vjetësh, për të marrë drejtimin e Hipotekës. Dyrmishi ka marrë emërimin nga ministri i Drejtësisë dy javë pasi posti i kreut të ZRPP-së, ka qenë i lirë me dorëheqjen e Jurgys Çyrbes.
Mjaft zëra qarkulluan se ZRPP-në do ta drejtonte një përfaqësues i LSI-së, si forcë politike në koalicion, por PS-ja nuk lëshoi “pe” për këtë institucion. Aktualisht, ZRPP-ja në Durrës ka një organikë të cunguar, pasi 6 specialistë janë pushuar nga puna me urdhër të ministrit Ylli Manjani, për mosrespektim të afateve kohore të dokumentacionit të qytetarëve.
Dyrmishi i PS-së vjen në krye të këtij institucioni mjaft të përfolur, në një kohë kur ankesat e qytetarëve të Durrësit janë mjaft të mëdha.
Ani Dyrmishi ngjitet në postet drejtuese pas karrierës brenda strukturave në Partinë Socialiste. Në zgjedhjet e fundit lokale, Dyrmishi ka qenë kryetar i Komisionit Zonal Zgjedhor numër 20, që mbulonte bashkinë Sukth, Manëz dhe ish-komunat.
K.H.





