Nga kjo e hënë, bashkia e Durrësit ka një nënkryetar të ri.

“DurrësLajm” mëson se vendin e lënë bosh nga ish-nën/kryetari Renis Mullaj, i cili u emërua drejtor spitali pak kohë më parë e ka zënë 45-vjeçari Egert Hoxha. Hoxha është prezantuar sot para stafit dhe ka nisur zyrtarisht punën.

Megjithëse Hoxha zë vendin bosh të lënë nga paraardhësi i tij, kjo mund të konsiderohet lëvizja e parë e rëndësishme në institucionin e qeverisjes vendore pas riformatimit të kërkuar nga kryeministri Rama gjatë vizitës së tij, më datë 8 korrik.

Pas përfundimit të pushimeve verore, pritet që në periudhën në vijim të ketë ndryshime të tjera në institucionin më të rëndësishëm qeverisës të qytetit.

Në tryezën e punës së kryebashkiakes Emiriana Sako qëndrojnë prej mëse një muaji dorëheqjet (të pa pranuara ende) të të gjithë drejtorëve, kryetarëve të njësive administrative, por të mos harrojmë edhe dy nënkryetarëve të tjerë të bashkisë, Gentian Kallmi dhe Elio Jani.

Përfundimi i procesit të vlerësimit të performancës së gjithësecilit pritet të shoqërohet nga veprimet e radhës së kryetares Sako, për t’i komunikuar gjithë se kujt qëndrimin ose jo në detyrë për periudhën në vijim.

Po kush është Egert Hoxha?

Nënkryetari i ri i bashkisë Durrës vjen në këtë detyrë, pasi prej më shumë se një viti ka qenë drejtor i OSHEE Durrës.

Përpara kësaj detyre, Hoxha ka qenë për 10 vite me radhë drejtor i Kontrollit dhe Zbatimit të Standarteve pranë OSHEE Tiranë.

Me formim inxhinier elektrik dhe njohës i dy gjuhëve të huaja (anglisht, italisht), 45-vjeçari Hoxha synon të sjellë në bashkinë e qytetit nr.2 të Shqipërisë eksperiencën organizative dhe jo vetëm të krijuar gjatë viteve kur drejtonte një nga drejtoritë më të rëndësishme të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në vend.  

M.B.