Ikja e të rinjve ne emigracion po hidhëron një nga bizneset e ëmbla në vend, atë të tregtimit të sheqerit dhe produkteve të tij. Importet e sheqerit në muajt janar-gusht 2023 shënuan sasinë më të ulët në 7 vitet e fundit.
Në këtë periudhë, sipas të dhënave të Doganave, importet ranë 33% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Tregtuesit e shumicës pohojnë se shkaqet e rënies së importit janë tkurrja e konsumit nga emigracioni dhe e kërkesës për sheqer nga industria e prodhimit të reçelrave.
Agroindustria e prodhimit të reçelrave, kompostove dhe marmelatës sivjet vuajti mungesën e gjetjes së lëndës së parë së frutave.
Për këtë arsye, drejtuesit e fabrikave thanë se prodhuan 50% më pak se vjet. Shkak i rënies së prodhimit të pemëve në vend për agronomët ishte lagështira tejet e lartë gjatë stinës së pranverës.
Përfaqësues të sektorit të agroindustrisë ngrenë shqetësimin se tashmë, prodhimtaria e pemëve ka hyrë në ciklin e rënies, pasi mungesa e subvencioneve dhe çmimit të shitjes së frutave nën kosto kanë shtuar pasigurinë te fermeri deri në humbjen e interesit të tij për mirëmbajtjen e pemëve.
Përpunuesit parashikojnë se dëmet e së kaluarës në sektorin e bujqësisë do të jenë të pariparueshme, pasi mungesa e fuqisë punëtore dhe emigracioni i fermerëve të rinj mbetet në nivele të larta.
Importet e sheqerit thellojnë rënien
Në vitin 2022, importet e sheqerit, sipas të dhënave të Doganave, u ulën 2% krahasuar me vitin 2021. Tendenca e rënies vijoi edhe gjatë 2023. Në muajt janar-gusht 2023 u importuan 28,8 milionë kg sheqer.
Krahasuar me vjet, sasia e importuar për 8-mujorin ra 33%.
Kjo është sasia më e ulët e importuar për vitet 2017-2023.
Një ndër tregtuesit me shumicë të sheqerit pohoi për “Monitor” se në janar-gusht 2023, kërkesa ra me 20% krahasuar me vjet. Arsyeja e rënies në sektorin e tregtimit me pakicë të sheqerit, sipas tij, u ndikua nga emigracioni.
Drejtuesit e kompanisë nënvizojnë se importi për këtë vit u shtua, pasi u planifikuan blerje të larta, ndërsa konsumi nuk shënoi rritjen e parashikuar. Çmimi i produktit krahasuar me vjet është ulur 16%.
“Konsumi për produktin e sheqerit është në rënie, për shkak të largimeve të popullsisë në emigracion, sidomos në rrethe dhe zonat rurale. Prisnim rritje të kërkesës nga industria e prodhimit të reçelrave në muajin gusht, që përkon me sezonin e prodhimit, por edhe nga industria përpunuese, kërkesa këtë vit pati rënie.
Për shkak të tendencës së 8-mujorit nuk parashikojmë që për muajt në vijim konsumi të rritet”, pohuan drejtues të kompanisë.
Ndërsa Eleni Babameto, nga kompania “Teuta”, që importon një sërë produktesh ushqimore pohoi më herët për “Monitor” se kuotat e shitjes së sheqerit deri në muajin korrik ishin të njëjta krahasuar me vitin e kaluar.
Industria e reçelrave dhe kompostove përgjysmon prodhimin
Për drejtuesit e fabrikave të prodhimit të reçelrave dhe kompostove, sivjet situata e prodhimit të pemëve rezultoi alarmante, e ndikuar nga kushtet e papërshtatshme klimatike.
Mungesa e prodhimit te drurët frutorë solli reduktim të prodhimit të reçelrave, kompostove dhe marmelatës.
Drejtuesi i një prej fabrikave të prodhimit të reçelit në Berat u shpreh për “Monitor” se krahasuar me vjet, prodhimi për reçelin dhe komposton është 50% më pak.
Arsyeja kryesore e përgjysmimit të prodhimit, sipas tij, mbetet mungesa e gjetjes së lëndës së parë.
Mungesa e lëndës së parë e penalizoi kompaninë edhe për kontratat e eksportit, pasi nga sipërmarrësit e huaj kërkohet sasi e lartë produktesh që nuk arrin të garantohet.
Rënia e ofertës së lëndës së parë vendase rrit ndjeshëm çmimin e frutave që përdoren nga industritë përpunuese. Rritja e çmimeve shtrenjtoi edhe kostot.
Sipas drejtuesve të fabrikave, çmimi i varietetit të kumbullës “tropojane” më e përdorura nga agroindustria përpunuese për prodhimin e reçelit, u tregtua nga fermerët nga 30 deri në 50 lekë për kg që varionte vjet, në 80 lekë deri në 100 lekë për kg.
Nevion Telha, agronom në zonën e Korçës, pohoi për “Monitor” se prodhimi i pemëtarisë sivjet është reduktuar, pasi në periudhën e lulëzimit të gjitha pemët u prekën nga lagështira e lartë.
Rajoni i Korçës është shumë i përshtatshëm për prodhimet bujqësore, sidomos zona e Pojanit kultivon disa variete kumbullash që shërbejnë si lëndë e parë për agroindustrinë.
Z. Telha nënvizon se nga 8,000 deri në 10,000 ha tokë të mbjella të zonën e Korçës me varietetin e kumbullës “tropojane”, vetëm 20 ha patën prodhimtari.
“Në kushtet e motit me lagështirë tejet të lartë gjatë stinës së pranverës dhe fillimi i verës, prodhimi i shumë llojeve të pemëve u dëmtua. Qershitë këtë vit u kalbën në pemë, ndërsa kumbullat prodhuan sasi tepër të vogël.
Veçanërisht varieteti i kumbullës “tropojane”, që pothuajse shitet tërësisht për industrinë agropërpunuese, u prodhua në 20 ha nga 10,000 ha të mbjella në të gjithë zonën.
Vitin tjetër parashikojmë stabilizimin e prodhimit, pasi lënda rezervë që ushqen lastarin e bimës, frutën dhe gjethen është më e lartë për shkak të lagështirës”, theksoi ai.
Agim Rrapaj, kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, thotë se prodhimi i fruta-perimeve i destinuar si lëndë e parë për agropërpunim si reçel, liko, lëngje të ndryshme, komposto, marmelatë, nuk është ulur këtë vit krahasuar me vitin e kaluar.
“Vështirësia e furnizimit me lëndë të parë për këtë industri ka ardhur për shkak të rritjes së konsumit të tyre, si produkte të freskëta, rritjes së kostos së krahut të punës në vjelje, çmimit të transportit, të energjisë elektrike dhe lëndëve ndihmëse”.
Z.Rrapaj thotë se shtimin e prodhimit në agropërpunim e pengon konkurrenca e pandershme nga importi, çmimet e larta të karburantit, energjisë elektrike, ambalazhit, mungesa e mekanizimit në vjelje të këtyre produkteve, si dhe paketa fiskale e padobishme.
Ecuria e konsumit të ëmbëlsirave
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, nga viti 2013 deri në vitin 2020 në vend janë prodhuar 2,534 tonë reçel, 201 tonë marmelatë dhe 9,125 tonë komposto.
Prodhimi i reçelit në vitin 2020 u rrit 4% më shumë se në 2019-n. Prodhimi i kompostove në 2020-n ra rreth 6% në raport me vitin paraardhës. Për të njëjtat periudha krahasuese, prodhimi i marmelatës ra 15%.
Suela Canaj, drejtoresha e përgjithshme e kompanisë “Canaj Factory”, tha për “Monitor” se kërkesa për reçelin shqiptar si brenda dhe jashtë vendit është e lartë.
Fabrika e kompanisë “Canaj” është ndërtuar në vitin 2020 në bjeshkët e Malësisë së Madhe, në fshatin e Tamarës, e cila grumbullon frutat nga fermerët e zonës së Shkodrës, të Korçës dhe Dibrës për prodhimin e lëngjeve natyrale të frutave të markës “Belta”.
Përveç prodhimit të lëngjeve, kompania pritet të dalë së shpejti në treg me reçelin e fikut dhe më pas të qershisë. “Nga studimi që kemi, kërkesa për reçelin shqiptar rezulton e lartë. Produktet tona të reçelit të fikut, që pritet të dalin së shpejti në treg, synojnë të tregtohen, si në tregun vendas dhe për eksport.
Ashtu si edhe me prodhimin e lëngjeve të frutave, lënda e parë do të sigurohet nga fermerët e zonës dhe zonave përreth fabrikës. Jemi në hapat e parë për prodhimin e reçelit të fikut, ku më pas do të zgjerojmë gamën e produkteve, duke vijuar me prodhimin e reçelit të qershisë”, pohon znj. Canaj.
Në vitin që lamë pas, importet e sheqerit ishin në rënie krahasuar me 2021. Tkurrja e tyre vijoi edhe në 8-mujorin e këtij viti, pavarësisht se vitet e fundit shtimi i pastiçerive që tregtojnë ëmbëlsira të ndryshme, është kthyer në tendencë.
Kryetari i Shoqatës së Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave, Gëzim Peshkopia, tha për “Monitor” se kërkesa për ëmbëlsira në periudhën janar-gusht ishte me rritje të lartë krahasuar me vjet.
Z. Peshkopia pohon se shtim më të lartë të kërkesës për ëmbëlsira dhe akullore pati gjatë sezonit turistik, për shkak të fluksit të turistëve.
Shoqata parashikon kërkesë të lartë për ëmbëlsira edhe në muajin shtator, pasi në shumë hotele të vendit rezervimet nga turistët vijojnë të mbeten të shumta.
Sa sheqer konsumojnë shqiptarët?
Në vitin 2022, sasia e importuar ishte rreth 60,2 milionë kilogramë sheqer. Sipas llogaritjeve të “Monitor”, një shqiptar ka konsumuar mesatarisht rreth 21,5 kg sheqer e produkte të tij gjatë 2022.
Konsumi i sheqerit për frymë ka ardhur në rritje në botë.
Sipas të dhënave nga indiansugar.com, ky tregues në 2009, ishte 25 kg, viti i cili kishte edhe sasinë më të ulët të importuar. Në periudhën nga 2005-2017, 2008-a mban rekord për sasinë e konsumuar me 91.5 kilogramë.
Konsumi i sheqerit në botë sipas Worldata në vitin 2020 rendiste në vendin e parë SHBA me konsum 46 kg për person në vit. Më pas renditej Gjermania me konsum prej 38 kg në vit për person dhe Holanda, me 37 kg sheqer për person.
Pse nuk ringrihet Kombinati i prodhimit të sheqerit në Maliq?
Kërkesa për kompanitë retail të shitjes së sheqerit dhe industrisë së agropërpunimit prej gati tre dekadash në Shqipëri plotësohet vetëm nga importi. Ish-kombinati i sheqerit në Maliq ka ndërprerë prodhimin që prej vitit 1995, sipas Pranvera Begollit, administratores së godinës prej vitit 2006.
Disa nisma nga sipërmarrës të huaj për rivënien e tij në punë kanë dështuar. Shkak është parcelimi i tokës, ndërsa fermerët nuk pranojnë të bashkojnë ngastrat me qëllim mbjelljen e panxharit industrial, pasi toka dikur e bonifikuar nga shteti komunist, iu është rikthyer me tituj pronësie fermerëve të zonës.
Znj. Begolli pohon se gjatë periudhës komuniste, nga bonifikimi i tokave kënetore në zonën e Maliqit dhe Bilishtit u përfituan 15,000 ha toka bujqësore që kultivonin panxharin për prodhimin e sheqerit.
Tokat e përfituara nga bonifikimi i kënetës, sipas ligjit 7.501 për ndarjen e tokës bujqësore, u janë kthyer fermerëve të zonës, ku fillimisht u është dhënë për përdorim dhe më pas fituan titujt e pronësisë.
Në pjesën dërrmuese të tokës ku dikur mbillej panxhari i sheqerit, sipas znj. Begolli, shumica e fermerëve kanë mbjellë pemë frutore. Fermerët gjithashtu prodhojnë vetëm panxhar që përdoret për ushqim për kafshët, jo për qëllim industrial.
Mungesa e lëndës së parë, për shkak të parcelimit është arsyeja kryesore e frenimit të interesimit të investitorëve të huaj për rivënien në punë të fabrikës më të madhe që në të kaluarën prodhonte sheqer, sipas administratores së ish-godinës së Kombinatit në Maliq.
“Para dy vitesh, një kompani nga Katari shprehu interes për rivënien në punë të ish-kombinatit të prodhimit të sheqerit. Kompania e interesuar mori toka me qira në fshatin Sheqeras, me qëllim mbjelljen e panxharit dhe të misrit.
Kompania kërkonte të ndërtonte një model të ngjashëm investimi, siç kishte vepruar në Turqi, ku përveç prodhimit të sheqerit do të investonte edhe për rritjen e viçave.
Interesimi i tyre nuk u arrit të finalizohet, pasi nuk gjetën toka të mjaftueshme për mbjelljen e panxharit. Investimi do të ishte një resurs për zonën. Mbjellja e tokës me panxhar industrial për sheqer rrit edhe rendimentin e prodhimit”.
Interesim për rivënien në punë të ish-kombinatit të Maliqit pati edhe në vitin 1998, disa vite pas mbylljes së tij nga një kompani greke, sipas administratores znj. Begolli, por nuk u arrit të finalizohej.
Kryetari i Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu, tha për “Monitor” se interesim për vënien në punë të fabrikës së sheqerit pati edhe në vitin 2007, nga investitorë polakë dhe gjermanë.
Z. Topçiu pohon se parashikohej të investohej rreth 50 milionë euro për rikthimin në punë të fabrikës, por edhe kjo përpjekje nuk u konkretizua. Sipas tij, nuk dihen arsyet e largimit të investitorëve.
Kombinati i sheqerit në Maliq ishte ndërmarrja e parë e madhe e ish-industrisë ushqimore shqiptare. Kombinati u ndërtua më 1951 dhe përfshinte fabrikën e sheqerit pluhur, atë të tharjes së bërsive, termocentralin dhe ofiçinën mekanike. Ndërsa më 1967-n u ndërtua edhe fabrika e nishestesë dhe e glukozës.
“Aktualisht ndërtesa është bosh. Nuk funksionon prodhimi i sheqerit dhe tetë cikle të tjera prodhimi të lidhura me panxharin. Sheqeri ndaloi së prodhuari nga viti 1995.
Prodhimi i alkoolit nga melasa e sheqerit funksionoi deri në vitet 2012-2013. Lënda e parë sigurohej nga Greqia dhe Serbia. Më pas kompania falimentoi. Niseshteja u prodhua deri në vitin 2009. Lënda e parë ishte misri i Sarandës. Përveç niseshtesë prodhohej edhe glukoza.
Në Kombinat ishin të ndërtuara dy fabrika për prodhimin e sheqerit, një për prodhimin e alkoolit nga melasa e sheqerit, fabrika e majave, fabrika e bërsive për kafshët, një fabrikë e niseshtesë, si dhe dy TEC – njëri vihej në punë nëpërmjet lëndës djegëse mazut dhe tjetri me qymyr, – që shërbenin për prodhim energjie dhe për avull, i cili shërbente për ngrohje institucionesh, të kopshteve, shkollave etj., dhe për vënien në punë të fabrikave të Kombinatit”, thotë znj. Begolli.
Ish-kombinati i sheqerit në Maliq, një gjigant tashmë thuajse i shkatërruar, në disa ambiente të tij po shfrytëzohet për prodhimin e lëndës djegëse të paletës dhe nga industria e përpunimit të peshkut me qira 1 euro.