Fluksi i emigrantëve ka nisur në ikje nga pika kufitare e portit të Durrësit. Këtë sezon veror, të gjithë ata që zgjodhën të vijnë nëpërmjet portit më të madh në vend u përballën me një rritje artificiale të çmimeve të biletave të udhëtimit nga ana e agjencive përkatëse. “Çmimi i biletave u rrit disa herë në mënyrë abuzive nga ana e agjensive të ndryshme”, pohojnë emigrantët që po largohen.
Ata thonë se kanë kaluar disa ditë me të afërmit e tyre, si dhe kanë pushuar në atdhe. Nga vendi i tyre largohen me përshtypje jo të mira, jo vetëm se kanë shpenzuar, para e kohë, por sepse pritshmëritë kanë qënë të tjera .
Në terminalin e pasagjerëve këtë vit është dhënë urdhër të mos lejohen mediat të filmojnë çfarë ndodh pas sporteleve të policisë kufitare.
Pak ditë më parë ishte një turist italian, i cili filmoi një sherr masiv midis pasagjerëve dhe një punonjësi trageti, sherr i cili ndodhi si rezultat i pritjes së emigrantëve për disa orë në këtë terminal. Por, në këtë zonë të portit, media e ka të ndaluar të hyjë apo të filmojë.
Prefekti i Durrësit Roland Nasto ju ka bërë thirrje autoriteteve të krijojnë kushte e përshtatshme për kalimin pa pengesa të emigrantëve, pas incidentit të ndodhur.
Pritet që numri i emigrantëve që kthehen me 5 tragetet e vënë në dispozicion të shkojë në 10 mijë në ditë deri në fundjavë.
K.H.





