Itali, 16 shtator-Një italian ka vrarë dy shqiptarë nga Kosova të cilët ishin punësuar pranë biznesit të tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së hënës në lokalitetin Molino Girola, Itali. Viktimat janë Nexhmedin Mustafa, 38 vjeç dhe Valdet Abdyli, 26 vjeç, shqiptarë të Kosovës. Autor i dyshuar i vrasjes me armë zjarri është shtetasi italian, Gianluca Ciferri, 48 vjeç, i martuar dhe baba i tre fëmijëve.

Dy shqiptarët ishin punësuar tek kompania e vrasësit, një biznes veshjesh, “Gianluca Ciferri Movimento Terra” me seli tek vila e tij në rrugën Monte Pacini në lokalitetin Molino Girola të rajonit italian Ascoli. Viktimat, të cilët ishin emigrantë të ligjshëm në Itali, me banim në Fermo, mësohet se pasi ishin pushuar nga puna prej italianit e kishin hedhur atë në gjyq dhe kishin kërkuar që të paguheshin për periudhën që kishin punuar.

Dje paradite në orën 11.00 ata kanë shkuar në banesën-biznes të italianit duke i kërkuar që të shlyejë paratë. Në këtë moment ka nisur një debat mes tyre dhe befas, italiani ka nxjerrë një pistoletë që e kishte me leje dhe ka hapur zjarr duke i marrë jetën dy shqiptarëve.

Policia tha se autori i dyshuar u dorëzua pa rezistencë.

/Agjencia e lajmeve Dyrrah/