GJIROKASTER, 27 prill 2013 – Emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi do të mund të kthehen në Shqipëri me rastin e pushimeve të Pashkëve ortodokse. Frika se mos fëmijët e tyre mbeteshin në vendin tonë, për shkak të pretendimeve greke për toponimet në gjuhën shqipe, po i stepte shumë emigrantë të ktheheshin në atdhe.
Marrëveshja e arritur mes krerëve të Policive Kufitare të Gjirokastrës dhe Greqisë do të mundësojë lëvizjen pa probleme të familjeve shqiptare.
Problemet me pasaportat nisën kohë më parë, kur pala greke ktheu shumë fëmijë emigrantësh shqiptarë, të lindur në Greqi. Shkak për ndalimin e kalimit për në tokën greke u bë fakti se në pasaportat shqiptare shënohej vendlindja në gjuhën shqipe dhe jo në atë angleze, siç e përmbajnë kriteret e Komisionit Ndërkombëtar të Toponimeve.
Shefi i Policisë Kufitare në Gjirokastër ka rënë dakord që mos të merren në konsideratë vendlindjet e fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi.
/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





