Ditën e sotme rinisën lundrimet e dyfishta nga porti i Durrësit drejt porteve italiane, por ndryshe nga fundi i dhjetorit, këtë herë fluksi është i përqendruar në dalje.

Paraditen e kësaj të enjteje nisen drejt Barit 2 tragete, ndërsa 2 të tjerë janë parashikuar të udhëtojnë në darkë. Njëkohësisht pasditen e sotme, një tjetër traget do të udhëtojë drejt Ankonës.

Mbrëmjen e së mërkurës, me dy tragetet e linjës Durrës – Bari udhëtuan 2442 pasagjerë.

Për shumë nga ata që kaluan festat e fundvitit në Shqipëri, vendi ynë ka ende punë për të bërë për të siguruar nivel më të lartë jetese për qytetarët e tij.

“Të ketë më shumë vende pune, rritje rrogash. Për të ngrënë kanë, se  nuk ka vdekur njeri për bukë, siç thotë dhe kryeministri Rama, por duhen edhe siguria, shëndetësia etj”.

“Të rriten pensionet, ata që janë ende pa shtëpi prej tërmetit, të sistemohen në banesa të reja. Popullit si mbarojnë asnjëherë hallet, por këto janë kryesoret.”

“Qeveria nuk mendon mirë për popullatën. Unë mendoj se në të ardhmen do bëhet më mirë. Për popullin duhet menduar më shumë për situatën sociale, infrastrukturën, administratën, duhet hequr korrupsioni”,- ishin këto disa prej opinioneve që emigrantët dhanë për mikrofonin e “DurrësLajm”.  

Nga dita e sotme e deri në fundjavë pritet fluks i konsiderueshëm udhëtarësh në portin më të madh në vend, kjo për shkak se emigrantët nisin rikthimin drejt vendeve të tyre të punës.ë ket

Autoriteti Portual Durrës për të garantuar përpunimin në kohë rekord të pasagjerëve po aplikon masa shtesë, kryesisht në parametrat e sigurisë dhe të shërbimeve. Në Terminalin e trageteve janë funksionalë 22 sportele për përpunimin në kohë dhe pa vonesa të pasagjerëve dhe mjeteve. Lundrimet dyfishe të trageteve do të operojnë përgjatë datave 4-7 janar.2024.

M.B.