15shtator 2015 – Kryeministri Edi Rama gjatë takimit që pati në Bari me Presidentin e Rajonit të Pulias, Michele Emiliano, komentoi edhe çështjen e emigrantëve. Rama deklaroi para gazetarëve italianë se historia e emigracionit ‘ka treguar se kanë qenë gjithmonë një burim dhe ka sjellë përfitime’. Sipas agjencisë së lajmeve “ANSA” Rama ka thënë se disa politikanë në Itali kanë menduar ndryshe për emigrantët shqiptarë, por fakti është se ata kontribuojnë në rritjen e prodhimit në vend.

“Mjafton të mendojmë që shqiptarët, të famshëm në të gjithë botën për atë foto të Oliviero Toscanit në anijen “Vlora”, dhe që frikësuan të gjithë Italinë, duke i dhënë Umberto Bossit idenë për t’i vënë topat e ushtrisë për t’i mbytur të gjithë, sot kontribuojnë me 3.2 miliardë në PBB italiane. “Vetëm mendoni për këtë për mos të qenë të frikësuar”,-shkruan agjencia e lajmeve “ANSA” duke cituar kryeministrin shqiptar.

Më pas Rama ka shtuar se ‘ata që duan vota nuk i flasin mendjes dhe zemrës, por barkut të njerëzve, durim”. Deklaratat e kryeministrit Edi Rama vijnë në kohën kur në Itali dhe në disa vende të tjera të zhvilluara në Bashkimin Europian ka debate të nxehta politike lidhur me pranimin e emigrantëve sirianë, por edhe për mënyrën e trajtimit të azilkërkuesve shqiptar, të cilët sipas statistikave të huaja kanë shënuar rritje në muajt e fundit (kryesisht në Gjermani). /Panorama/