6389 emigrantë shqiptarë kanë nisur procedurat për të përfituar nga lehtësimet ligjore në Itali dhe për t’u pajisur me dokumente të rregullta.
Brenda një muaji janë rreth 6400 bashkëkombës që kanë kërkuar të punësohen në sektorin e asistencës familjare.
E duket se në mbështetje të tyre kanë ardhur sipërmarrësit shqiptarë. Janë 1281 punëdhënës që kanë kërkuar t’i lidhin kontratë pune të rregullt.
Sipas raportit zyrtar, deri më 1 korrik 2020 janë paraqitur rreth 80 mijë kërkesa nga shtetas të vendeve të ndryshme ku vetëm 10 mijë janë në fazë shqyrtimi dhe pjesa tjetër tashmë u është dhënë përgjigje, shkruan “Ora News”.
Ndër ta shqiptarët zënë vendin e pestë për kërkesat, dhe të parët janë emigrantët nga Maroku, e më pas nga Ukrania, Bangladeshi e Kina.
Autoritetet italiane kanë shtyrë deri më 15 gusht 2020 afatin kohor të mbylljes së procesit të pajisjes me leje të rregullt qëndrimi për emigrantët ilegalë apo për ata me leje qëndrimi të skaduar.
Në Itali llogaritet të jenë rreth 500 mijë shqiptarë që qëndrojnë me dokumente të rregullta.





