Dyshimi për vetëvrasje nga njëri prej 300 azilantëve që mbahen në anijen hotel “Bibby Stockholm”, pushtoi mediat britanike paraditen e së mërkurës.
Ministria e punëve të brendshme, Home Office e quajti një ngjarje tragjike duke mos treguar identitetin e viktimës.
Por sipas “Top Channel”, emigranti i cili i dha fund jetës të martën, në anijen hotel ku janë akomoduar azil-kërkuesit, e ankoruar në Dorset në jug-lindje të Anglisë, është shqiptar. Ai është 27-vjeçari me inicialet L.F. i lindur në një fshat afër Durrësit.
Të afërmit e tij në Londër të hënën pritet të shkojnë në morgun e Dorset për të parë trupin e të ndjerit dhe për t’u njohur me rezultatin e pritshëm të autopsisë.
I riu shqiptar mbërri në Angli me gomone në gusht të vitit të shkuar. Pas qëndrimit disa ditor në Londër tek të afërmit, ai u dërgua nga Home Office për të jetuar në një hotel 6 orë larg kryeqytetit britanik.
Më pas ai iu bind kërkesës së Home Office për të jetuar në anijen hotel të marrë me qira nga qeveria angleze me synimin e uljes së kostove të akomodimit të azilantëve.
Top Channel ka zbuluar gjithashtu se i ndjeri në bisedat telefonike të zhvilluara me familjarët është shprehur se “kushtet në anijen hotel janë të mira, por emigrantët po trajtohen sikur të jenë kafshë prej rojeve të sigurisë”.