Jetonte prej kohësh në Itali, vetëvritet dy ditë para largimit nga Shqipëria, 22-vjeçari.
Markiled Çipi qëlloi veten me plumb në zemër për motive të paqarta. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Gramëz të Krujë, ndërsa Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e motivit për aktin fatal që ndërmori i riu, duke përjashtuar kategorikisht pistën e vrasjes. I riu Markiled Çipi ishte kthyer nga Italia vetëm dy ditë më parë dhe do kthehej sërish pas dy ditësh në vendin ku jetonte prej vitesh.
Nga informacionet e para, Policia bën me dije se 22-vjeçari është gjetur nga të afërmit brenda makinës, në garazh. “Markiled Çipi ka qëlluar veten me armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante pa leje. Për të kryer aktin ekstrem, ai kishte zgjedhur garazhin e makinës që ndodhej pas shtëpisë së familjes Çipi dhe është gjetur i vrarë brenda në automjetin e tij dhe konkretisht në sediljen e shoferit.
“Duke qenë se 22- vjeçari jetonte prej kohësh në Itali, kemi shumë pak informacione rreth tij. Megjithatë, ne kemi ngritur disa pista hetimi, të cilat do t’i verifikojmë me kujdes për të më- suar se çfarë e ka shtyrë të riun drejt këtij akti ekstrem. Dyshimet janë nga më të ndryshmet, që nga ndonjë borxh i mundshëm, ndonjë zhgënjim prej ndonjë lidhje dashurie, deri te fakti që vuante nevojën për t’u punësuar.
Në telefonin celular nuk kemi gjetur ndonjë gjë komprometuese që mund të na ndihmonte për të zbardhur ngjarjen”, bëjnë të ditur hetuesit e angazhuar për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Burimet thanë se 22-vjeçari njihej si person shumë pozitiv në zonë dhe nuk kishte pasur kurrë probleme me drejtësinë, shkruan Panorama.
Policia ka marrë në pyetje familjarët e të riut, por këta të fundit kanë deklaruar se nuk kanë dijeni se çfarë mund ta ketë shtyrë djalin e tyre drejt vetëvrasjes. Ata kanë pohuar për Policinë se nuk kishin pikasur ndonjë shqetësim te djali i tyre dhe nuk gjejnë asnjë motiv për vetëvrasjen e tij.
http://www.panorama.com.al/emigranti-dha-fund-jetes-me-plumb-ne-zemer-policia-ja-per-cfare-dyshojme/





