Emigrantët ilegalë, në rrugë të pa stehë e të pa ushqyer. Kontigjenti që ka vënë në alarm policinë.
Emigrantët ilegalë, kryesisht nga vendet e lindjes, që kanë hyrë në Shqipëri për të kaluar tranzit në vendet Europiane kanë javë të tëra të bllokuar në vendin tonë.
Pikërisht këta emigrantë ilegalë, numri i të cilëve mbetet i paidentifikuar nga autoritetet, janë bërë edhe çështje problematike për sigurinë dhe rendin e qytetarëve.
Të mbetur të pastrehë dhe pa ushqim, ndërsa qytetet dhe popullsia janë në karantinë, ky kontigjent për policinë mbetet mjaft i rrezikshëm, përsa i përket vjedhjeve në këtë periudhë.
Si rezultat i këtyre emigrantëve, që kanë mbetur si endacakë e po strehohen kryesisht në pallatet që janë në ndërtim e sipër apo të dëmtuar nga tërmeti, policia e Durrësit është vënë në shërbim 12 orësh për të gjithë.
Abdyl Karim 54 vjeç, është një prej emigrantëve ilegalë që ka hyrë në vendin tonë me synim të përfundonte në Austri. Por mbyllja e kufijve e ka lënë 54-vjeçarin në Durrës.
Ai tha për “DurrësLajm” se më herët kishte qenë në Gjermani, por autoritetet e kishin kthyer në vendin e tij të origjinës në Algjeri.
Tani në Shqipëri ai ka mbetur pa bukë e pa strehë. E gjetëm te shëtitorja “Taulantia”, afër Sfinksit, ndërsa dikush i kishte falur një 200 lekësh për të blerë ushqim.
54-vjeçari tha se është vrarë në krah, gjatë kohës që udhëtonte ilegalisht në Greqi për të hyrë në Shqipëri.
“Nuk kam ku ta mjekoj, askush nuk mer përsipër të mjekojë plagën në krah. Jam pa bukë, pa asgjë”, tha 54-vjeçari. Si ai ka shumë të tjerë që dalin sapo ka liri-dalje në qytet.
Për Policinë e Durrësit emigrantët ilegalë, që në qytetin bregdetar kanë përfunduar nëpërmjet rrugës tokësore nga Greqia, përbëjnë edhe rrezikun më të madh të vjedhjeve që ndodhin në këtë periudhë, pasi ky kontigjent është tërësisht pa asnjë mbrojtje dhe në kushte mbijetese tepër të rrezikshme.
Por ky kontigjent i cili qëndron në rrugë mund të bëhet edhe bartës e shpërndarës i virusit Covid-19.
K.H.





