5 mars 2014– Kristaq Sota, emigrant prej dhjetë vjetësh në qytezën italiane të Kamposanpieros të Provincës së Padovës, kreu një akt bamirësie në favor të bashkisë së qytetit. Kristaqi tashmë është biznesmen, pronar i firmës “Ma-Vi” me një aktivitet fitimprurës. Firma ka mbi 40 të punësuar. Aktiviteti i tij shtrihet në mirëmbajtjen e hekurudhave dhe në kantieret detare.
Kristaqi i dhuroi administratës së bashkisë katër kamera mbikqyrjeje me vlerë 4000 euro. Dy nga kamerat u instaluan në bibliotekën e qytetit dhe dy të tjera në një zonë, ku herë pas here kryhen veprimtari të kundërligjshme. Nuk është hera e parë, që Kristaqi kontribuon për qytetin, ku punon dhe jeton. Pak kohë më parë bashkia nuk kishte fonde për të restauruar një lokomotivë muze dhuruar qytezës së Kamposanpieros nga Hekurrudhat shtetërore italiane. Kristaqi e restauroi lokomotivën me shpenzimet e tij, duke ia bërë dhuratë qytezës.
Me modesti, Kristaqi shprehet për mediat vendore italiane: “Si emigrant pata fat dhe gjeta punë në këtë qytezë. Tashmë jo vetëm, që jam i punësuar, por jam sipërmarrës dhe kam hapur vende pune. Normalisht dua të kontriboj sado pak për qytetin, ku banoj familjarisht”.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





