Korçë, 25 korrik 2014 – Krimi brenda familjes trondit Korçën. Një emigrant, i kthyer vetëm tri ditë më parë nga Greqia ku qëndronte prej vitesh, ka ekzekutuar me breshëri automatiku bashkëshorten 40-vjeçare dhe djalin 1 vjeç. I përfshirë nga një gjendje e thellë depresive, kryefamiljari Edmond Fiqi ka vrarë më pas dhe veten, në derën e banesës ku jetonte prej disa vitesh familja e tij.

Dyshohet se gjithçka ka ndodhur për motive xhelozie. Sipas hetuesve të çështjes, banori i komunitetit rom ka qëlluar për vdekje gruan e tij, Albina Fiqi, me origjinë nga Shijaku, pasi dyshonte për atësinë e fëmijës. 

Mësohet se 40-vjeçari, prej shumë kohësh kishte emigruar në Greqi dhe prej 4 vitesh ai nuk kishte ardhur në vendlindje. Sipas burimeve policore, Fiqi është kthyer nga vendi fqinj tri ditë më parë. Ai është tronditur kur ka gjetur të shoqen me djalin 1 vjeç. I tronditur, Edmond Fiqi i ka kërkuar shpjegime bashkëshortes së tij, Albinës. Hetuesit e çështjes pohuan se çifti është konfliktuar ashpër në lidhje me atësinë e fëmijës. Xhelozia i ka errur sytë Edmond Fiqit, i cili ka vendosur të hakmerret me gruan e tij. 

Mbrëmë, rreth orës 20:30, 40-vjeçari ka hyrë i armatosur me automatik në banesën e tij. Ai ka hyrë në dhomë dhe ka zbrazur 15 plumba mbi krevatin ku po flinte bashkëshortja, Albina, me fëmijën 1 vjeç. Për pasojë këta të fundit kanë mbetur të vdekur në vend. Më pas emigranti ka vrarë dhe veten në derë të shtëpisë. Krismat e armës kanë alarmuar banorët e tjerë të komunitetit rom, të cilët kanë sinjalizuar policinë. 

Ky ëhstë krimi i dytë i rëndë brenda familjes në harkun kohor të pak ditëve. Opinioni publik u trondit në fillim të javës nga vrasja e pesëfishtë në Fier, ku xhaxhai që kundërshtonte fejesën e mbesës, e vrau këtë të fundit, dy vëllezërit e tij, kunatën dhe më pas veten.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/