“Emilia Perez” i Jacques Audiard dominoi në “Golden Globes” duke fituar katër trofe, përfshirë komedinë më të mirë.
Filmi i transmetuar nga Netflix mori 10 nominime dhe ka në fokus tranzicionin gjinor të një trafikanti droge meksikan. Audiard ia kushtoi fitoren “të gjithëve atyre që sot ndihen të shqetësuar”. Regjisori francez iu kërkoi “të mbajnë kokën lart, të vazhdojnë të luftojnë e të shpresojnë për ditë më të mira”.
“Mund të na futni në burg, mund të na rrihni, por nuk mund të na hiqni kurrë shpirtin, rezistencën, identitetin tonë, u shpreh Karla Sofía Gascón, aktorja transgjinore në rolin kryesor”.
Por, ndonëse e vlerësuar në Kanë, aktorja spanjolle nuk ka gëzuar të njëjtin sukses në Hollivud ku humbi ndaj koleges Demi Moore, e cila fitoi aktoren më të mirë në një komedi, për interpretimin shumë të përkushtuar në një tjetër film francez, “The Substance”.
Në këtë përrallë të tmerrshme nga Coralie Fargeat, e cila nuk kursehet në asgjë, aktorja 62-vjeçare luan një ish-yll të Hollivudit, e varur nga një serum që të rinon. Një substancë që gjeneron një dyshe të rinovuar të vetvetes, me impulse shkatërruese.
Demi Moore pranoi se kishte frikë se mos bëhej një aktore e plakur dhe falënderoi francezen, siç tha “për këtë skenar magjik, të guximshëm dhe krejtësisht të çmendur”. “Jam e tronditur. Kam aktruar prej një kohë të gjatë, mbi 45 vjet dhe kjo është hera e parë që fitoj diçka si aktore”, tha ajo.
Mbrëmja u shënua edhe nga tri statuja për “The Brutalist”, portretin e një arkitekti që i mbijetoi Holokaustit duke u përpjekur të rindërtonte jetën e tij në Shtetet e Bashkuara.
Një tjetër fitues i madh i mbrëmjes, “The Brutalist” fitoi një tripletë shumë prestigjioze: filmi më i mirë dramatik, regjisori më i mirë për Brady Corbet dhe aktori më i mirë për Adrien Brody. I vlerësuar nga kritika në rangun e klasikëve të mëdhenj si “Kumbari”, çimenton statusin e tij si një peshë e rëndë për çmimet Oscar.
Në zemër të një Hollivudi ku krijimtarinë e dominon ndikimi i studiove, Brady Corbet shfrytëzoi rastin për të adresuar një mesazh në favor të pavarësisë së regjisorëve.
“Askush nuk po kërkonte një film tre orë e gjysmë për një stilist të mesit të shekullit në një film 70 milimetërsh, por funksionon”.
Konkurrenti i tij i madh, thrilleri papal “Conclave”, fitoi çmimin për skenarin më të mirë, për zhytjen në betejat për pushtet të Vatikanit gjatë zgjedhjes së një pape të ri.
“Golden Globes” veçojnë komeditë dhe dramat në çmimet e dhëna duke u reformuar vitet e fundit, pas skandalit të madh të zbuluar në vitin 2021 mbi korrupsionin dhe racizmin e anëtarëve. Juria është zgjeruar dukshëm, me mbi 200 emra të rinj nga e gjithë bota.
Aktorja braziliane, Fernanda Torres, dukshëm doli surprizë kundër konkurrenteve si Angelina Jolie (“Maria”) dhe Nicole Kidman (“Babygirl”). Torres u vlerësua me “Golden Globe” për aktoren më të mirë në një film dramatik, për rolin e saj si një vejushë e vendosur nën diktaturën ushtarake të viteve 1970 në Rio, në “I’m Still Here”.
Sebastian Stan u votua si aktori më i mirë në një komedi për rolin e tij në “Another man”, ku luan rolin e një aktori që kërkon një fillim të ri pas operacionit estetik.