Dy fitoret radhazi në kampionat kanë kthyer besimin te Teuta. Mesfushori i “djemve të detit, Emiliano Vila, u shpreh tepër i lumtur për fitoren që skuadra e tij arriti në transfertën ndaj Skënderbeut.
Vila tha se Teuta ndeshjet i vlerëson njësoj, s’ka rëndësi ndaj cilit ekip luan. Ai flet dhe për përballjen ndaj Tiranës, Vila do ishte i lumtur që të fitonte ndaj bardhebluve dhe të vazhdojë ecurinë pozitive.
Dy fitore radhazi, jeni më të qetë tashmë?
Sigurisht që pikët shërbejnë për të rritur besimin e ekipit, kemi arritur të marrim dy fitore. Kemi marrë pikët maksimale, gjë që na jep besim për vazhdimësinë, ndihmon për moralin e ekipit. Për sa i përket edhe lojës, kemi qenë në maksimumin tonë, por në këtë pikë të sezonit rendësi ka që kemi marrë pikët maksimale.
Është fitorja ndaj Skënderbeut barometër për Teutën apo sipas jush skuadra do ta tregojë veten edhe ndaj ekipeve më të forta?
Çdo fitore me cilindo kundërshtar është maksimumi, sepse unë mendoj që në kampionatin shqiptar është vërtetuar që s’ka ekipe të dobëta apo ekipe të forta. Çdo ekip ka mundësinë të marrë pikë cilitdo kundërshtari. Mendoj që Skënderbeu pavarësisht se ka një ekip me djem të rinj luan mjaft mirë futboll dhe të hap probleme, kështu që si tri pikë ndaj Skënderbeut, por edhe ndaj çdo kundërshtari tjetër janë të njëjta. Unë mendoj që është pozitive të marrësh fitoren. S’ka rëndësi kundër ekipit që luan. Çdo skuadër është për t’u vlerësuar.
Si e shikoni gjendjen e skuadrës para kësaj sfide?
Gjendja fizike e lojtarëve në prag të kësaj sfide paraqitet optimale. Grupi po funksionon mirë. Po punojmë mirë në të gjitha aspektet. Kemi konsideratë për Tiranën. Ne duhet të jemi në kondicionin më të mirë të mundshëm. Duhet të shprehim potencialin në fushën e lojës, ndryshe do ta humbim këtë sfidë.
Përballë keni Tiranën, si e parashikon Vila këtë duel?
Mendoj që gjatë kësaj jave kjo do të jetë ndeshja më e vështirë, por edhe njëkohësisht më e rëndësishmja mund të them, pasi luajmë ndaj një kundërshtari të mirë dhe duhet të marrim fitore. Kjo, për të siguruar sa më shumë pikë në këtë fazë të kampionatit, pasi dihet që kampionati sa vjen e bëhet me i fortë dhe ndoshta ndonjë gabim gjatë këtyre javëve mund të na kushtojë, por më e rëndësishmja është që të shtunën të marrim tri pikët maksimale.
Fakti që Tirana vjen pas një ecurie jo të mirë, a e bën të vështirë?
Nuk besoj sa ka shumë lidhje kjo pjesë. Tirana gjithmonë ka qenë një skuadër e fortë jo vetëm tani që ka luhatje. Është një ndeshje e mirë për futbollin shqiptar. Vetë situata në të cilën ndodhemi na bën optimist.
A mendoni se do të keni vazhdimësi pozitive ndaj Tiranës?
Vazhdimësia është e vështirë në futboll. Ajo është shumë e rëndësishme, prandaj ne gjithmonë flasim që t’i marrim ndeshjet një nga një. Kështu mund të ruajmë performancën dhe rezultatet pozitive në të njëjtën kohë. Për fat të mirë, deri tani gjërat kanë shkuar si duhet dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu.
Ku mendoni se mund ta përfundojë Teuta këtë sezon?
Për momentin, ne mendojmë vetëm Tiranën. Po punojmë të gjithë që të sigurojmë tri pikët në ketë ndeshje. Vetëm kaq.





