Afrimi i lojtarëve me përvojë në sezonet e fundit rezultoi rezultativ për Teutën, e cila në kuadrin e një viti arriti të fitonte Kupën e Shqipërisë, Superkupën si dhe riktheu titullin kampion pas 27 vitesh. Emiljano Vila është një nga lojtarët kryesorë dhe me përvojë që ka Teuta në gjirin e saj.

Mesfushori durrsak do të vijojë të mbrojë ngjyrat e skuadrës së vendlindjes edhe për sezonin e ri, pasi para pak ditësh ka rinovuar kontratën me Teutën. 33-vjeçari fillimisht flet për rinovimin e kontratës, për të vijuar më tej për arritjet e skuadrës në edicionin e fundit, pritshmëritë, objektivat e Teutës në sezonin e ri, që nis Superkupën ndaj Vllaznisë më 28 gusht.

Keni rinovuar kontratën me Teutën. Çfarë ju bindi?

Unë jam në shtëpinë time, në klubin ku jam rritur dhe formuar si lojtar profesionist, kështu që nuk e mendova dy herë këtë pjesë dhe jam i lumtur.

Si pritet të jetë gjendja në skuadër pas pushimit të fundit?

Jemi të kënaqur pas tri ditëve pushim. Sot do të zbresim në fushë dhe do të përgatitemi të gjejmë ritmin e ndeshjeve. Duhet dhe pak më shumë së një javë nga finalja e Superkupës ndaj Vllaznisë, por mendoj se do të kemi formë të mirë për të luajtur. Ashtu si unë, edhe shokët e tjerë duken gati pasi kemi punuar mirë dhe fatmirësisht nuk kemi pasur dëmtime gjatë aventurës europiane.

Si e shikoni ekipin në sezonin e ri?

Sivjet kemi disa të rinj në grup, të cilët kanë shfaqur dëshirë për të treguar se sa vlejnë. Ndërsa ne që kemi më shumë eksperiencë, duam të përmirësohemi edhe më tej e të gjithë të kontribuojmë për ekipin.

Çfarë prisni nga miqësoret para startit të kampionatit?

Miqësoret janë ndeshje për të parë kondicionin fizik të lojtarëve. Kemi kohë të mjaftueshme përpara për t’u përgatitur ashtu si duhet dhe deri në finalen e Superkupës jemi të bindur se do të jemi gati.

Me çfarë synimi nis ky kampionat për ju dhe skuadrën?

Duam ta vazhdojmë aty ku e lamë vitin e kaluar. Parashikoj një kampionat të bukur dhe të ekuilibruar pasi disa rivalë janë përforcuar, ndërsa të tjerë dëshirojnë të konfirmohen. Të gjithë mezi presim të fillojë gara.

Cilët janë objektivat e Teutës për sezonin 2021- 2022?

Të gjithë dëshirojmë të bëjmë më mirë sesa viti i kaluar ku zhvilluam një kampionat që nuk e priste askush tjetër përveç nesh. Kemi besim në mundësitë tona dhe jemi të vetëdijshëm se mund të bëjmë gjëra më të mira se viti i kaluar.

Po personalisht, çfarë synimesh keni?

Synimet e mia janë të thjeshta. Të fokusohem për të dhënë më të mirën me Teutën, që klubi të arrijë synimet e tij.