Teuta u shpall dy javë më parë kampione e Kategorisë Superiore. Me fitoren ndaj Apolonisë në “Niko Dovana”, durrsakët siguruan titullin e dytë në historinë e tyre.

Një nga protagonistët kryesorë të këtij trofeu është padyshim dhe mesfushori Emiljano Vila, që me golat e tij e ndihmoi skuadrën të shpallej kampione pas 27 vitesh pritje.

Vila preku disa tema dhe tregoi rrugën e suksesit, si dhe për prezantimin e Teutës në Champions.

Emiljano, sa i kënaqur jeni me sezonin e Teutës?

Jam shumë i kënaqur me sezonin futbollistik të Teutës dhe shumë i lumtur me fitoren e titullit kampion. Kemi punuar shumë, të gjithë si skuadër gjatë gjithë kësaj kohe, si në përgatitje dhe lojë dhe falë kësaj, arritëm suksesin në fund të kampionatit.

Ke shënuar disa gola vendimtarë për Teutën, sa të gëzon ky fakt?

Është e vërtetë që kam shënuar disa gola. Asnjëherë nuk kam pasur prioritet veten, por skuadrën dhe kam qenë në fushë që ta ndihmoj atë, dhe jo veten. Atmosfera këtu është fantastike dhe e meriton ky qytet, që pas një viti të gjatë në kushte pandemie të festojë.

Sa besoni te kjo skuadër për një vazhdimësi më të mirë?

Ne jemi një ekip me djem të rinj, duke u ndërthurur me disa lojtarë me eksperiencë. Jemi përshtatur mirë dhe po marrim maksimumin. Besuam që do të merrnim maksimumin në kampionat dhe e mbyllëm me trofe, ky ishte objektivi madhor që kishim.

Çfarë menduat kur humbët ndaj Partizanit dy javë nga fundi?

Të gjithë kemi luajtur dhe bërë gabime. Ishte një moment i keq, por kishim besim deri në fund dhe gjetëm forcë te njëri-tjetri, pasi kampionati s’kishte mbaruar ende.

Kush ka qenë sekreti i kësaj skuadre fituese?

Serioziteti në stërvitje dhe harmonia. Fryma e grupit është sekreti ynë. Gjithashtu, dua të theksoj se skuadra nuk ka qenë kurrë e varur nga një individ.

Besoni se do të kaloni një tur në Champions?

Së pari, uroj që të kemi pak fat në short. Ne do të luajmë për t’u kualifikuar, cilido që të jetë kundërshtari. Me këtë synim dhe mendim do të përgatitemi, si fizikisht, por edhe psikologjikisht.

Keni pasur ndonjë keqardhje nga sezoni i fundit?

Jo, sepse jam shumë i kënaqur për pjesën e klubit, pasi kishte vite që nuk e kishte fituar kampionatin dhe këtë sezon u finalizua. Nga ana personale, patjetër duhet ta quaj sukses, duke pasur parasysh faktin që ngre trofeun me ekipin e qytetit ku u rrita. Mendoj se jemi në rrugën e mbarë dhe duke kapur objektivin titull dhe pjesëmarrjen në Champions me Teutën. Nuk është pak për mua, pasi dua të shkoj sa më larg me ekipin ku jam rritur.