Teuta do të përpiqet këtë herë të bëjë kthesën përballë skuadrës më në formë të momentit si Partizani. Nivelin e vështirësisë së këtij takimi e ka theksuar edhe kapiteni Emiljano Vila. Lojtari mendon se ka ardhur momenti që Teuta të vijojë më rezultatet pozitive në këtë kampionat dhe t’i largohet sa më shpejt pjesës së poshtme të tabelës. Mesfushori polivalent i durrsakëve, para duelit ndaj Partizanit, thekson se grupi i lojtarëve do të japë shpirtin në fushë për ta fituar këtë ndeshje.
Sa ju ka shërbyer pauza për t’u përmirësuar?
Kjo periudhë pushimi ka të mirën e vet me rikuperimin. Gjatë këtyre ditëve po punojmë më shumë në drejtimin psikologjik, pasi duhet të rikthehet vetëbesimi i skuadrës dhe rruga e fitoreve.
Mendoni se ka ardhur momenti që Teuta të rikthehet te fitorja pas dy barazimeve në kampionat?
Synimet e Teutës janë gjithmonë të dalim në fushë dhe të fitojmë, do të bëjmë më të mirën, na duhet fitore në ndeshjen e radhës.
Sa e vështirë do të jetë përballja me Partizanin?
Është një skuadër që me lojë ka justifikuar pikët, pasi ka instaluar një manovër ku përfshihen të gjithë lojtarët. Kanë lojë të mirë në tranzicione, por si çdo ekip, edhe Partizani ka pika jo të forta. Të shtunën nuk do ta marrim ndeshjen me stres dhe do të hyjmë me qetësi në fushë.
A mendoni se presioni mund t’ua komplikojë ndeshjen?
Të gjitha ekipet kanë presion, por ne pak më shumë, sepse kemi marrë pikët, por dhe lojën e mirë. Kemi kontingjentin për rikuperim të pikëve, sepse kemi dominuar, por na kanë kushtuar gabimet dhe duhet të jemi më të qetë para portës. Në raport me skuadrat e tjera kemi pasur më shumë raste para porte.
A e keni gjetur ritmin e duhur tek Teuta?
Unë e kam zakon të them: si punon, ashtu të kthehet. Asgjë nuk vjen thjesht, gjithçka duhet merituar.
Si e shikoni kampionatin deri në këtë moment?
Skuadrat janë të barabarta. Nuk ka një diferencë në pikë, por dhe nga cilësia janë të gjitha afër. Janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur. Sezoni është i gjatë dhe ekipi që do të jetë më konstant do të jetë më afër objektivave.