Teuta u rikthye në krye pas fitores ndaj Kukësit dhe skuadra gjeti qetësinë e munguar, sepse vinte nga një javë ku humbja 0-2 kundër Tiranës në Durrës e kishte goditur psikologjikisht.

Mesfushori Emiliano Vila, një prej lojtarëve me më shumë eksperiencë në skuadër, shprehet besimplotë se durrsakët do të arrijnë të dalin me fitore edhe nga dueli direkt me Vllazninë.

Emiliano, pas atij hapi fals në shtëpi ndaj Tiranës, riktheheni te fitorja kundër Kukësit, që përkoi edhe me rimarrjen e kryesimit…

Natyrisht që jam i kënaqur, pasi bëmë një lojë të mirë ndaj Kukësit. Fituam tri pikët dhe çunat meritojnë të gjithë shumë komplimente për ndeshjen e luftuar që bënë. Kundërshtari ka një ekip të mirë dhe ishte një fitore e vështirë. Nuk ka mbaruar asgjë akoma, sepse kemi gjashtë ndeshje finale deri në fund për t’i zhvilluar.

Cilin shikoni rivalin më të fortë deri në fund të garës?

Të gjithë kundërshtarët janë të vështirë. Të hënën luajmë një takim shumë të fortë me Vllazninë. Duhet të përgatitemi sa më mirë për këtë takim, pasi tani nuk lejohen më hapat falsë. Jemi në një situatë ku duhet të përqendrohemi maksimalisht.

Si e parashikoni ndeshjen në Shkodër, besoni te një tjetër fitore?

Siç e thashë edhe më lart, na pret një ndeshje e fortë. Vllaznia është një ekip mjaft i mirë. Pastaj, të gjitha skuadrat që luftojnë për kreun, mendoj se janë aty-aty. Edhe ato që janë në vendin e fundit e kanë bërë më të bukur garën. Nëse ne do futemi në fushë dhe do luajmë siç kemi luajtur deri më tani, me përqendrim, thjeshtësi dhe sakrificë, nuk besoj se do të kemi shumë probleme. Duhet të shohim veten tonë, nuk duhet të merremi me kundërshtarët fare.

Vllaznia vjen nga një humbje, cila mendoni se do ta bëjë diferencën në këtë takim?

Shiko, në të tilla ndeshje nuk ka favoritë, por duke nisur nga gjendja që jemi ne, por edhe nga entuziazmi në skuadër këtë periudhë, mendoj se ekipi do të bëjë maksimumin që të dalë me fitore ndaj Vllaznisë. Këto ndeshje nisin si të barabarta, pavarësisht pikëve apo renditjes, kështu që duhet të jemi të supermotivuar dhe të karikuar për të dhënë gjithçka në Shkodër. E dimë shumë mirë rëndësinë e këtij takimi, kështu që do të luajmë për të marrë maksimumin e pikëve.

Jeni skuadra që keni bërë më shumë barazime se kushdo tjetër. A ka ndonjë ndeshje që ju ka mbetur në mendje?

Me atë që kemi dhënë në fushën e lojës, mendoj që duhet të kishim më shumë pikë, por për disa faktorë, këtë gjë nuk e kemi arritur. Nuk është se kam ndonjë ndeshje peng, por janë disa ku mund të kishim bërë më mirë.

 Edhe pse me një mbrojtje shumë të fortë që jep garanci, Teuta ka pasur shumë vështirësi për ta gjetur golin. Çfarë mendoni se duhet të bëjë më tepër ekipi?

 Në shumë ndeshje, Teuta ka dominuar dhe ka patur mundësi për të shënuar, por nuk e ka ndihmuar dhe fati. Mendoj që problemi i golave nuk është aq i thjeshtë për ta treguar, por nëse do vijojnë më këto ritme edhe sulmuesit do të shpërblehen, siç ndodhi me Krasniqin.